24-11-2024

Këshilli i Prindërve kërkon përmisim ose pezullim të testit të Arritshmërisë

Këshilli i Prindërve të Prishtinës ka kërkuar përmisimin rrënjësor të testit të Arritshmërisë ose në të kundërt, pezullimin e tij.

Kryetari i këtij këshilli, Jeton Demi ka thënë se testi është larg përmbushjes së qëllimit të tij bazik.

“Testi i Arritshmërisë ka për synim të krijojë një matës të harmonizuar të vlerësimit të nxënësve në nivel vendi. Megjithatë për shkak se procesi po kompromentohet nga rrjedhja e testeve, kopjimi dhe parregullsitë, ky test është larg përmbushjes së qëllimit që ka. Si i tillë ky vlerësim më shumë duket se shkakton zhvlerësim të sistemit arsimor parauniversitar (në mangësi të shumta menaxhimi dhe monitorimi) dhe krijon pabarazi mes nxënësve. Andaj ky testim ose duhet përmirësuar rrënjësisht ose duhet pezulluar’, ka deklaruar Demi.

Se pakënaqësitë e prindërve dhe vet nxënësve janë të shumta dhe prezente çdo vit, Demi nuk e ka mohuar.

“Pakënaqësitë e prindërve dhe nxënësve me atë proces janë të përvitshme, të shumta dhe të evidentuara. Pra aspak nuk arrinë ta justifikoj qëllimin që e ka”, ka deklaruar ai.

Sa janë reale rezultatet? A duhet të vazhdojë si metodë?

Eksperti i Arsimit, Egzon Gashi vlerëson se testi i Arritshmërisë ka nevojë për përmisime dhe rezultatet nuk janë më realet e mundshme.

“Aktualisht, nuk besoj se janë shumë të sakta për shkak që ka shumë raste kur shpërndahen pyetjet, në viber ose në metoda të ndryshme në mes nxënësve e ndonjëherë fatkeqsisht edhe përmes mësimdhënësve e shkollave. Unë besoj se ky është problem thelbësor në kulturë, jo me fajësu një grup njerzish, një person. Aq shumë rëndësi u japin këtyre testeve dhe në fakt rezultatet nuk janë aspak të sakta…as nxënësit nuk po dijnë të performojnë më së miri. Po ashtu, nuk po din si ta zbatojnë testin më së miri”, ka thënë ai.

I njëjti nuk e ka mohuar se prezenca e tij mbetet “e nevojshme”.

“Unë besoj se mundet të vazhdojë se duhet të zbatohet dhe të mbikqyret në mënyrë efektive, ato sigurisht ekzistojnë një arsye. Është vështirë me krahasu një student të Prishtinës me një të Prizrenit ose Gjianit kur nuk e ke një test kombëtar me pyetje të ngjajshme, andaj bëhet ky test. Megjithatë mënyra se si zbatohet dhe implementohet në terren është aq keq e maxhuar sa që nuk ka rezultate të sakta dhe aktualisht nuk ka sukses, por nuk besoj se nuk duhet të shuhet. E ka një rol në sistemin e arsimit”, ka thënë Gashi.

Se a duhet të largohet një praktikë e tillë, zyrtari nga radhët e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Fatmir Elezi ka thënë se roli i tij mbetet për t’u shqyrtuar.

“Testi i arritshmërisë vlerëson njohurit e nxënësve në lëndë të caktuara dhe shërben për orientimin e nxënësve në klasën e X. Një praktikë e tillë vazhdon edhe ketë vit por në të ardhmen do të shqyrtohet roli i këtij vlerësimi”, ka thënë Elezi.

Por se sa janë mundësitë e kopjimit të larta, Elezi thotë se varet nga administruesit.

“Në çdo klasë janë nga 15 nxënës ku i administron një administrues prandaj mundësitë e kopjimit janë të vogla mirëpo ka administrues të papërgjegjshëm dhe ndodh që nxënësit arrin të postojnë në rrjetet sociale materiale të testit”, ka thënë ai.

Ndërkaq, lidhur me kopjimin në teste të tilla, eksperti Gashi tha se një gjë e tillë është më se e dukshme që ndodhë.

Në klasën e IX janë rreth 24 mijë nxënës që pritet të hyjnë në test, ka treguar Elezi.

Tashmë, MASHTI ka publikuar vendimin se kur do të mbahet testi i arritshmërisë këtë vit.

Më 4 korrik do të mbahet pjesa e parë e testimit, e cila përmban njohuri nga gjuha amtare, gjuha angleze, historia dhe gjeografia. Ndërkaq, një javë më vonë, përkatësisht më 11 korrik do të mbahet testimi i njohurive për lëndën e matematikës, informatikës, kimisë, fizikës dhe biologjisë./Dukagjini

Asnjë koment

Comments are closed.