Këta janë 10 kandidatët e AAK-së për kryetarë të komunave
Tashmë kanë filluar të zyrtarizohen kandidaturat për kryetar komune për zgjedhjet lokale.
Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë njoftuar se deri më tani kanë paracaktuar 10 kandidatë për kryetar komunash.
Emrat e kandidatëve që pritet t’i futen garës për të parin e komunës tashmë janë drejt finalizimit.
Prej dhjetë kandidatëve, gjashtë prej tyre janë edhe aktualisht në pozitën e udhëheqësit të komunës, ndërsa katër janë befasi.
Për të parin e Prishtinës, në garë nga AAK-ja është Daut Haradinaj, i cili së fundi liroi postin e deputetit të Kosovës.
Komunën e Pejës synon ta drejtojë Arbër Tolaj, Podujevën tenton ta marrë Besnik Tahiri kurse në të parin e Istogut synon të jetë Bekë Berisha.
Garës për zgjedhje lokale do t’i futen edhe gjashtë kandidatë aktual të komunave.
Bëhet fjalë për kryetarin e Suharekës, Bali Muharremaj, kryetarin e Klinës, Zenun Elezaj, kryetarin e Gjakovës, Ardian Gjini, kryetarin e Rahovecit, Smajl Latifi, kryetarin e Junikut, Agron Kuçi dhe kryetarin e Deçanit, Bashkim Ramosaj.
Derisa AAK-ja pothuajse ka zyrtarizuar të gjitha kandidaturat, partitë e tjera politike akoma nuk kanë bërë publike emrat e nominuar.