Këta janë tre të dyshuarit që rrahën brutalisht me shufra druri suharekasin në Prizren
Rapotohet për arrestimin e të dyshuarit të dytë në rastin e rrahjes brutale të një qytetari nga Suhareka, më 22 janar në Prizren.
Sinjali mëson se i arrestuari i dytë është Besnik Uka, i cili përfundoi në prangat e Policisë së Kosovës pas Liridon Ukës, që ishte arrestuar pas ditë pak rastit dhe që për momentin ndodhet në paraburgim.
Besnik Uka ka dalë para Prokurorit sot rreth orës 14:00.
Treshes e cila në videon e rastit të publikuar nga Gazeta Sinjali, shihej duke e goditur pamëshirshëm suharekasin, i mungon edhe Bashkim Muqa, i cili nga ajo natë ndodhet në arrati.
Sinjali pati publikuar pamjet ekskluzive të këtij sulmi me shufra dhe detajet rreth rastit.
Viktima L.M (emër i njohur për redaksinë) u sulmua pamëshirshëm nga tre të dyshuarit, derisa ishte në veturën e tij. Gjithë sulmi ndaj tij, sipas burimeve të Sinjalit ndodhi për shkak të mosmarrëveshjeve për pronë që kishin palët mes vete.
Në pamjet ekskluzive të siguruara nga kamerat e sigurisë të vendosura në një nga objektet në afërsi të vendit ku ka ndodhur ngjarja, shihet gjithë sulmi brutal që pësoi qytetari nga Suhareka.
Derisa njëri nga të dyshuarit e sulmonte pamëshirshëm me një shufër, i dyshuari tjetër thoshte “theja kamtë”, duke tentuar që ta sulmojnë viktimën edhe me thikë.
Për të mos mbaruar me kaq, i njëjti shkon te vetura prapa veturës së viktimës dhe e merr një shufër tjetër, për t’i dalë në “ndihmë” mikut që sulmonte brutalisht viktimën.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/