18-03-2026

Këta janë tre zyrtarët e ARBK-së që u shoqëruan në Polici, aksioni vazhdon

Tri zyrtare të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, përfshirë ushtruesen e detyrës së drejtores, janë shoqëruar në Polici, ndërsa aksioni në ARBK po vazhdon.

Gazeta Express mëson se janë shoqëruar në Polici: U.D. drejtorja e ARBK-së, Igballe Rexha Jashari, U. D Drejtore e ARBK, zyrtarja për procesimin e të dhënave, Albin Isufi dhe aprovuesja e lëndëve në këtë agjenci, Florije Lecaj.

Aksioni që nisi që në orët e hershme të mëngjesit po zhvillohet me urdhër të Gjykatës Themelore të Prishtinës, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe “rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve”, siç njoftoi më herët Prokuroria Themelore e Prishtinës.

Automjete të Policisë janë ende të pozicionuara pranë objektit të ARBK-së. Zyrtarë policorë po qëndrojnë të vendosur pranë hyrjes kryesore të ndërtesës, ndërsa zona përreth duket e qetë, pa prani të madhe qytetarësh.

Prokuroria tha se “gjatë këtij aksioni janë kryer bastisje në Agjencinë e Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), institucion që funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë”.

“Aksioni është ende në zhvillim e sipër, ndërsa Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore në funksion të zbardhjes së plotë të rastit”, tha Prokuroria në një komunikatë për media.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

 

Asnjë koment

Comments are closed.