Editorial: KF Liria mes traditës dhe sfidave moderne
Opinioni publik në Prizren, kur flitet për sportin ( pavarësisht sukseseve të KB Bashkimi në të dy konkurrencat, që janë për lakmi ), veçmas për futbollin, sy e mendje i ka te KF “Liria”. Tradita 90-vjeçare bën që vëmendja dhe interesi i publikut të përqendrohen te dhe rreth Lirisë, pavarësisht statusit juridik.
Ka kohë që Liria (nga viti 2023) është privatizuar, por pavarësisht kësaj, klubi ende nuk po gjen qetësinë.
Liria, për herë të fundit, është shpallur kampione në vitin e largët 1995 (30 vjet më parë), në një kohë sakrifice, kur emra si: Mirsad Çollaku, Astrit Berisha, Ergjan Dana, Nehari Toska, Ali Maralusha, Genc Tamniku, Ilir Bytyqi, Sami Buqaj, Ismail Berisha, Alev Nush, Bekim Bakaj, Nurtin Çolak etj., ishin jo vetëm pjesë e lavdisë së asaj kohe të vështirë të segregacionit, por edhe dhanë spektakël e kënaqësi në fushë.

Pas luftës, Liria dy herë fitoi titull (Kupën e Kosovës në vitet 2006 dhe 2010), por nuk pati qëndrueshmëri, duke rënë nga elita (Superliga e futbollit kosovar) dhe duke u rikthyer sërish, por pa stabilitet.
Nga viti 2008 deri më 2013, klubi u administrua nga kompania “Drini”, e cila fillimisht e riktheu statusin e skuadrës elitare dhe fitoi edhe Kupën e Kosovës në vitin 2010, por më pas, për shkak të problemeve financiare, klubi iu rikthye Komunës.

Në vitet 2015–2018, kohë kur klubi drejtohej nga disa ish-futbollistë të sakrificës, në krye me Mirsad Çollakun, pati stabilitet në Superligë dhe Liria ishte skuadër konkurruese. Madje, në edicionin 2017/2018, nën drejtimin e Çollakut (atëherë kryetar i klubit, aktualisht kryetar i LRF-së dhe anëtar i KE të FFK-së), Liria pothuajse kishte prekur Evropën (pas pranimit në UEFA dhe FIFA), por pengesë u bë ndërhyrja e politikës në klub, duke e penguar këtë sukses.

Më pas, klubi u privatizua, por ende nuk po gjen rrugën e suksesit dhe po përpëlitet në rangun e dytë. Urojmë që në pranverë të rikthehet te rezultatet që i dëshiron publiku. Privatizimi, ashtu siç u bë, nuk zgjidhi telashe të tjera përveç atyre financiare. Organizimi profesional mbetet ende në fazë dëshirash.
Ndërkohë, problem serioz mbetet Shkolla e Futbollit, dikur e njohur si Akademia e Lirisë. Emri “Akademi” është përdorur dhe keqpërdorur nga “ekspertë” të ndryshëm që kurrë nuk ishin të tillë. Sezoni 2014/2015 mbetet viti i artë për Shkollën e Futbollit, kur pas një kohe të gjatë nxori plot 9 juniorë që ishin pjesë e përfaqësueseve të Kosovës dhe Shqipërisë.

Foto e viteve 80-ta Liria-Prishtina
Ky sukses i dedikohet, para së gjithash, trajnerëve Agron Beseni dhe Enis Gashi, të cilët me modesti flasin për atë periudhë. Emra si: Flamur Gashi, Ilir Mustafa, Lumbardh Dellova, Almir Kryeziu, Fitim Susuri, Albin Memaj, Ibrahim Gavazaj, Ardian Gashi, Roni Gashi (pjesë e përfaqësueseve të Kosovës), si dhe Diellor Beseni e Zenel Gavazaj (pjesë e Kombëtares së Shqipërisë), në grupmoshat U-17 dhe U-19, janë pjesë e historisë së lavdishme të këtyre trajnerëve dhe futbollistëve.
Disa prej tyre sot po bëjnë karrierë të suksesshme, si Dellova (Bullgari), Kryeziu (Ballkani), Mustafa (Drita) etj. Që nga ajo kohë, nuk ka pasur përfaqësim të ri në grupmoshat e Kosovës apo Shqipërisë. Tash e 10 vjet, Shkolla e Futbollit Liria ka mbetur në vendnumëro. Madje, kadetët dhe juniorët e saj tash e tre vjet garojnë në rangje më të ulëta: kadetët në LRF të Prizrenit, ndërsa juniorët në Ligën e Parë, ndonëse dikur “shkundnin” Superligën dhe tmerronin kundërshtarët me lojë e gola.

Eksperimentet e shumta, ndërrimi i trajnerëve dhe paqëndrueshmëria e statusit juridik, duket se u treguan kundërproduktive. Edhe pse kemi të bëjmë me një klub plotësisht privat nga viti 2023 dhe me aksionarë nga 2024, Liria dhe interesi i saj mbeten publikë. Liria ka qenë gjithmonë klub i qytetit që nga vitet ’70.

Interesi institucional, pa marrë parasysh spektrin politik, duhet të kthejë vëmendjen te rimëkëmbja e klubit dhe sidomos e Shkollës së Futbollit, për t’ia kthyer namin Lirisë dhe për të nxjerrë futbollistë, të cilët vitet e fundit kanë munguar. Duhet rikthyer koha e lavdisë së të lartpërmendurve, bashkë me yllin e Majorkës dhe Kombëtares, Vedat Muriqi (tashmë i shndërruar në legjendë të gjallë), Lumbardh Dellovën etj.
P.S. Në foto disa nga lojtarët e gjeneratës së artë.

