25-11-2024

Kidnapimi i policëve/ Serbia shkeli marrëveshjen e Kumanovës duke futur forcat elitare në Kosovë

Sot u bënë një javë prej që forcat elitare serbe kidnapuan brenda territorit të Kosovës tre pjesëtarë të policisë kufitare, Beqir Sefa, Rifat Zeka dhe Shemë Mustafa. Atyre që nga e premtja iu është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh në Kralevë, për siç thotë prokuroria serbe ‘mbajtja e armëve ilegale’.
Të martën policët kosovarë për herë të parë u takuan ndaras nga një zyrtar i qeverisë së Republikës së Kosovës, konkretisht nga shefi i zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari.

E ky i fundit menjëherë ka raportuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Prishtinë për të treguar gjithë situatën që ka ndodhur në të vërtetë.

Pas konferencës së mbajtur dje nga kryeministri Albin Kurti dhe ministres së MPJ-së, Donika Gërvalla, kreu i ekzekutivit edhe në mbrëmje ka postuar disa fotografi se ku ka ndodhur kidnapimi dhe i njëjti konfirmon se Serbia ka shkelur pikën 4 të Marrëveshjes tekniko-ushtarake të Kumanovës, nga 9 qershori të vitit 1999.

Kurti madje i ka kërkuar faktorit ndërkombëtarë, Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO- që ta dënojnë agresionin e Serbisë.

Në anën tjetër, KFOR-i gjithë këtë situatë e ka përmbledhur në një deklaratë të shkurtë dhënë mediave ditën që ka ndodhur ngjarja.

“KFOR-i nuk ka qenë i përfshirë në ngjarjen e sotme lidhur me tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe në fakt është në kontakt me autoritetet serbe për të marrë informacione zyrtare për atë që ka ndodhur”.

Por është kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i cili dy ditë më vonë deklaroi se KFOR-i nuk do të dalë me konkluzione publike lidhur me rrëmbimin e tyre, por do ta dorëzojë dosjen në NATO.

“Është imediate që të tre punonjësit e policisë së Kosovës të kthehen në shtëpi. Përtej pretendimeve që janë kapur këtu e janë gjendur atje për të cilat KFOR-i nuk do të japë konkluzion publike, por do të dorëzojë dosjen ne NATO. Është e qartë që në të gjitha rastet të tre efektivët nuk kanë bërë asnjë krim. Edhe nëse do të supozonim që kanë shkelur kufirin, kjo ka vetëm një përgjigje: kthimin e tyre në shtëpi. Ne  jemi fokusuar që nga momenti i parë për ta bërë këtë të mundur”, ka thënë Rama.

Një burim i IndeksOnline brenda MPJ-së ka thënë se në bazë të Partneritetit për Paqe (PfP) me NATO-n, ajo zotohet që në përputhje me Marrëveshjen e Kumanovës, mbanë takime konsultuese, koordinuese në të gjitha nivelet në lidhje me vijën administrative.

“Pra Serbia e ka shkelë në formim marrëveshjen dhe planin individual si korniza më e avancuar e bashkëpunimit që parashihet për vende para anëtarësimit në NATO edhe pse Serbia nuk aspiron”, ka deklaruar zyrtari i MPJ-së në kushte anonimiteti, duke shtuar se kjo kornizë është privilegj që i është ofruar Sërbisë.

Kryeministri Kurti mbrëmë tha se: “Në momentin e rrëmbimit, tre policët tonë kanë qenë te tryeza e improvizuar për ngrënie, duke drekuar së bashku. Ata janë rrethuar nga 15 persona që i kanë sulmuar dhe i kanë rrëmbyer. Ambasadori ynë në Beograd, Jetish Jashari, sot i ka vizituar ndaras të tre policët, të cilët po mbahen peng nga Serbia. Janë tri rrëfime identike nga tre policët.

Vendi ku ndodhet tryeza e ngrënies është 7 metra prej veturës së policisë. Pikërisht në atë vend ku e kemi theksuar qysh me datën 15 qershor: 1 kilometër në brendi përgjatë rrugës së bllokuar ilegale, dhe 300 metra, përkatësisht 670 metra, nga të dy anët larg kufirit e brenda Kosovës.

Ne jemi në të drejtën tonë, në të drejtën e Republikës dhe këtë e dokumentojnë qartë dëshmitë që posedojnë institucionet tona të sigurisë, si dhe dëshmia e tre policëve tanë.

Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve policor. Ata duhet të lirohen pa kushte dhe të pacenuar.

Njëkohësisht kërkojmë nga faktorët ndërkombëtarë, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-ja që ta dënojnë agresionin e Serbisë që paraqet edhe shkelje të pikës 4 të Marrëveshjes tekniko-ushtarake të Kumanovës, nga 9 qershori të vitit 1999.

Në mesditën e 14 qershorit, u ushtrua agresion i Serbisë ndaj shtetit demokratik të Kosovës, me rrëmbimin e tre zyrtarëve të Policisë sonë, thellë në brendi të territorit të Republikës”.

Në anën tjetër, javën e kaluar Kosova shënoi 24 vjetorin e çlirimit të cilës i parapriu nënshkrimi i Marrëveshjes së Kumanovës, marrëveshje kjo e lidhur ndërmjet NATO-së dhe RFJ-së.

Marrëveshja e cila solli kapitullin e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, parashihte që nga Kosova të largohen të gjithë personat dhe organizatat me aftësi militare serbe, duke përfshirë armatën e rregullt dhe forcat e marinës, civilë të armatosur, paramilitarë, forcat ajrore, garda kombëtare, policia kufitare, rezervistët, policia ushtarake, shërbimet informative, MUP-it, policia lokale, speciale, antirebeliste, antiterroriste dhe çdo grup i përcaktuar kështu nga KFOR-i./IndeksOnline/

Asnjë koment

Comments are closed.