Siç raportoi edhe më herët “Gazeta e Prizrenit”, një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur, sot pak para orës 13:00 në lagjen “Lakuriq” afër zyrave të KEK-ut në Prizreni, ku një këmbësore 53 vjeçare ka humbur jetën pasi është goditur nga një automjet mikser-betoni në zonën e punimeve.
Sipas informacioneve të para, vozitësi i automjetit të tipit MAN – mikser betoni, pas zbrazjes së betonit në vendpunimin e kompanisë punuese, duke lëvizur përpara, e ka goditur këmbësoren me anën e djathtë të përparme të automjetit, pranë skajit të trotuarit.
Burime të Gazetës së Prizrenit bëjnë të ditur se viktima është Zenepe Minushi e lindur më 1972.
Sipas raportit policor, për shkak të plagëve të rënda, ajo ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Vdekja është konfirmuar nga ekipi emergjent që ka dalë menjëherë në terren.
Trupi i pajetë është dërguar në IML në Prishtinë për obduksion, ndërsa vozitësi S. G., rreth 49-vjeçar, është shoqëruar në mbajtje. /Gazeta e Prizrenit
