28-11-2024

Kjo kombëtare u kualifikua me falsifikime, skandali i madh trondit Botërorin e Katarit

Federata Kiliane e Futbollit i kërkoi të enjten FIFA-s të vendosë mbi papajtueshmërinë e një lojtari të Ekuadorit, duke pretenduar se ai përdori një pasaportë false, ashtu si certifikatën e lindjes. Pra, ngrihen pikëpyetje të forta mbi pjesëmarrjen e kombëtares ekuadoriane në Kupën e Botës të këtij viti. Kili pretendon që ka prova se Byron Castillo kishte lindur në Tumaco, Kolumbi, në vitin 1995 dhe jo në qytetin ekuadorian të gjeneralit Villamil Playas më 1998, siç thuhet në letrat e tij zyrtare.

Dokumentet e përfshira në dosjen e depozituar në FIFA janë parë nga Reuters. Ato synojnë të tregojnë certifikatat e tij “të falsifikuara” të lindjes, si dhe një hetim të brendshëm ekuadorian që pranon mospërputhjet në dokumentacionin e tij.

“E gjitha kjo është padyshim e njohur nga FEF (Federata e Ekuadorit), – tha federata kiliane në një deklaratë. – Bota e futbollit nuk mund të mbyllë sytë para kaq shumë provave. Këto praktika serioze dhe të parregullta në regjistrimin e lojtarëve nuk mund të pranohen, veçanërisht kur flasim për një kompeticion botëror”.

FIFA pranoi se kishte “marrë një ankesë zyrtare nga Federata Kiliane e Futbollit”, por nuk pranoi të komentonte më tej. Raportet nga Ekuadori në vitin 2021 thanë se Castillo ishte ratifikuar si qytetar ekuadorian, duke i mundësuar atij të luante për kombëtaren.

Castillo bëri debutimin e tij pesë muaj pas këtij vendimi, i cili u raportua në gazetën “El Telegrafo”. Federata e Ekuadorit hodhi poshtë të enjten ato që i konsideron “thashetheme të pabaza”, të krijuara për të destabilizuar Ekuadorin nga ata që duan të pengojnë pjesëmarrjen e tyre në Botërorin e Katarit.

“Ne duhet të jemi të prerë (dhe të themi) se Bayron Castillo është ekuadorian për të gjitha efektet ligjore”, – saktësohet në deklaratë. Mospërshtatshmëria e mundshme e Castillo mund të sjellë telashe për Ekuadorin, një nga katër skuadrat e Amerikës së Jugut që deri më tani janë kualifikuar në Kupën e Botës së Katarit, që do të zhvillohet në nëntor-dhjetor të këtij viti.

Castillo luajti në 8 nga 18 ndeshjet kualifikuese të Ekuadorit, ndeshje në të cilat u morën 14 nga 26 pikët e kësaj kombëtareje. Kombëtarja e Andeve përfundoi e katërta në fushatën kualifikuese me 10 ekipe, si vendi i fundit kualifikues automatik. Nëse humbin pikët e ndeshjeve ku luajti Castillo, ekuadorianët mund të mos marrin pjesë në “Katar 2022”.

Kili përfundoi i shtati me 19 pikë, por Eduardo Carlezzo, avokat i Federatës Kiliane të Futbollit tha: “Nëse Kilit do t’i jepeshin pikët e dy ndeshjeve kundër Ekuadorit, në të cilat luajti Castillo, atëherë do të shkonte në Kupën e Botës në vend të tyre. Kili duhet të marrë pikët dhe kështu të kalojë në vendin e katërt. Sasia e provave që kemi është e pakontestueshme”.

Të tilla mosmarrëveshje janë të dyta në fushatat radhazi kualifikuese të Kupës së Botës, që përfshijnë Kilin. Në prag të Botërorit 2018 në Rusi, Bolivia u ndëshkua për aktivizimin e një lojtari të papërshtatshëm kundër Kilit dhe Perusë, me të dyja palët që fituan në tavolinë 3-0. Pikët nuk bënë asnjë ndryshim për Kilin, i cili nuk u kualifikua, por ato ishin vendimtare për Perunë, e cila arriti në Botërorin e parë që nga viti 1982.

Asnjë koment

Comments are closed.