25-11-2024

Klan Kosova njofton se ARBK ka shfuqizuar vendimin për pezullimin e certifikatës së biznesit

Agjencia Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) ka lëshuar vendim zyrtar, me të cilin ka njoftuar se përfaqësuesi i autorizuar i Shoqërisë Tregtare Klan Kosova Sh.P.K. ka dorëzuar kërkesën për plotësim dokumentacioni dhe se me këtë rast ARBK-ja ka bërë shfuqizimin e vendimit të saj për pezullimin e certifikatës së biznesit.

Këtë e ka bërë të ditur vetë Klan Kosova, duke thënë se është përmbyllur plotësisht në mënyrë të rregullt dhe ligjore procesi pranë insitucioneve të Republikës se Kosovës.

“Sot, Agjencia Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) ka lëshuar vendim zyrtar, me të cilin ka njoftuar se përfaqësuesi i autorizuar i Shoqërisë Tregtare Klan Kosova Sh.P.K. ka dorëzuar kërkesën për plotësim dokumentacioni dhe se me këtë rast ARBK-ja ka bërë shfuqizimin e vendimit të saj për suspendmin e certifikatës së biznesit. Me këtë rast, Drejtoria e ARBK-së zyrtarisht ka njoftuar se kështu, kanë ndryshuar rrethanat faktike“, të cilat kishin nxitur vendimin e javës së kaluar për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosovës, duke dhënë vlerësimin e ri se ai vendim tash është shfuqizuar”, njofton Klan Kosova.

Bëhet e ditur se vendimin e sotëm, ARBK-ja e ka përcjellë në Komisionin e Pavarur për Media (KPM) dhe në Klan Kosova.

“Klan Kosova ka bërë shkresë zyrtare drejtuar KPM-së, në mënyrë që t’i njoftojë për korrigjimet e bëra dhe vendimin e ri të ARBK-së. Klan Kosova falënderon të gjithë ata që u angazhuan që ky proces administrativ të shkojë sipas ligjit, që janë ambasadat e Quintit të akredituara në Kosovë, institucionet dhe organizatat ndërkombëtare dhe vendore të të drejtave të njeriut, medias, gazetarëve dhe lirisë së shprehjes, si dhe veçanërisht të gjitha mediat dhe kolegët tanë gazetarë për solidarizimin pa asnjë hezitim. Po ashtu, Klan Kosova dëshiron t’i falënderojë institucionet e shtetit, ARBK-në dhe KPM-në, për korrektësinë dhe profesionalizmin e treguar në trajtimin e çështjes”, njofton Klan Kosova.

Vendimi i ARBK-së u mirëprit edhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).

“Televizioni Klan Kosova, ka njoftuar se gjatë ditës së sotme Agjencia Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve – ARBK, përmes një vendimi zyrtar, ka bërë të ditur se ka shfuqizuar vendimin për suspendimin e certifikatës së biznesit ndaj këtij mediumi. Klan Kosova nëpërmjet një shkrese ka falënderuar të gjitha organizatat vendore dhe ndërkombëtare që merren me lirinë e medias dhe shprehjes, ambasadat, si dhe kolegët gazetarë që i dolën në mbështetje në këtë proces. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës që nga publikimi i këtij vendimi, kishte ngritur shqetësimin për veprimin e MINT-it, dhe e mirëpret faktin që kanë përfunduar procedurat”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Ndryshe, më 14 qershor 2023, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përmes një komunikate për media ka njoftuar se ka iniciuar kallëzim penal në Departamentin e Krimeve të Rënda në kuadër të Policisë së Republikës së Kosovës, ndaj Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, zyrtarëve përgjegjës nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve dhe personave përgjegjës të kompanisë, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike. Aty thuhej se MINT, përkatësisht Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve e Kosovës, gjithashtu ka marrë vendim që të pezullojë certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, deri në një vendim tjetër.

Pas kësaj, Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), në mbledhjen e mbajtur më 16 qershor 2023, ka njoftuar se zyra ligjore e KPM-së, ka dhënë një rekomandim me dy dispozita, lidhur çështjen e pezullimit të certifikatës së licencës së Klan Kosovës. Jeton Mehmeti, kryetar i KPM-së, tha se Klan Kosova, në afat prej 30 ditësh duhet të bëjë plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm për mbajtjen e licencës së transmetimit, konfrom rregullores për ofruesit e shërbimeve mediale.

Kurse, më 16 qershor 2023, Organizatat anëtare të Rrjetit për të Drejtat e Njeriut (HRN): Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR KS), Shoqata e Paraplegjikëve dhe Paralizës së Fëmijëve të Kosovës HANDIKOS, Qendra për Barazi dhe Liri – CEL Kosova, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ), Iniciativa e Re Sociale (NSI) dhe Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve (VORAE), kanë shprehur shqetësimin lidhur me vendimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), për pezullimin e licencës së biznesit për Klan Kosovën.

Sipas organizatave anëtare të HRN-së, vendimi i MINT është shkelje e drejtpërdrejtë e lirisë së shprehjes dhe medias, si dhe ngjan në një përpjekje për të kontrolluar mediat dhe kufizuar lirinë e fjalës.

Më 19 qershor 2023, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), ka dhënë sqarime shtesë lidhur me pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosovës, duke thënë se përpjekja që një çështje biznesi, të përshkruhet si sulm ndaj lirisë së shtypit, është e paarsyeshme dhe e paqëndrueshme.

 

Asnjë koment

Comments are closed.