Klubi i njohur kroat interesohet për Zybën
Qëndrim Zyba mund ta vazhdojë karrierën jashtë Kosovës.
Shkëlqimi me Ballkanin në këtë edicion, por edhe debutimi në Kombëtaren e Kosovës, ka bërë që mesfushori kualitativ t’ju bie në sy edhe klubeve evropiane, mbi të gjitha atyre të rajonit.
Interesim për 22 vjeçarin ka shfaqur klubi i njohur kroat, Osijek.
Lajmin e ka bërë të ditur portali kroat “Germanijak”, përcjell “Gazeta Express”.
Madje, klubi kroat do të mundohet ta transferojë futbollistin e Ballkanit qysh në afatin kalimtar të janarit.
Zyba e zgjoi interesimin e Osijekut në ndeshjen e parë kundër Dinamo Zagrebit kur e bëri një pasim të shkëlqyeshëm tek goli i parë në fitoren e ekipit Portokalli ndaj kampionëve kroatë në Ligën e Konferencës.
Sipas mediumit kroat, lojtari e ka dhënë dritën e gjelbër për t’iu bashkuar Osijekut, ndërsa tash mbetet të arrihet marrëveshja mes klubeve rreth kompensimit për lojtarin.
Gjithnjë sipas këtij portali, kërkesa e kampionit kosovar për lojtarin në fjalë nuk është shumë e lartë dhe këtë shumë parash mund ta paguajë klubi kroat.
Zyba kishte përfunduar tek Ballkani vitin e kaluar nga Prishtina, ndërsa i ka zhvilluar 25 ndeshje deri tash në këtë edicion, duke i përfshirë këtu edhe takimet në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.
Vlera e kartonit të tij në “Transfermarkt” është gjysmë milioni euro, ndërsa mund të përdoret në dy pozita në mesfushë.
Gjithashtu, Zyba i ka edhe katër paraqitje me Kombëtaren e Kosovës, me të cilën e bëri debitimin dy muaj më parë.
Ai konsiderohet si njëri prej futbollistëve më të mirë në Kosovë për momentin.