KMDLNj kërkon faljen e gjobave që i morën qytetarët dhe bizneset gjatë pandemisë
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), ka kërkuar faljen bizneseve dhe të qytetarëve që janë gjobitur përgjatë pandemisë.
Në reagimin e tyre thuhet se gjatë kësaj kohe më së shumti dëme kanë pësuar bizneset dhe qytetarët që kanë mbetur pa punë.
Ndër të tjera në reagim thuhet se ka biznese që janë dënuar me 500 euro gjobë, dhe se nuk kanë mundësi që t’i paguajnë ato gjoba.
“KMDLNj –ë kërkon që edhe dënimet që iu janë shqiptuar qytetarëve , të falen shkaku se ishte një gjendje thuaja e jashtëzakonshme. KMDLNj ka informata se disa biznese janë dënuar disa herë me gjoba 500 e më shumë euro dhe se nuk kanë asnjë mundësi t’i paguajnë dënimet. KMDLNj –ë , që nga fillimi ka kërkuar që të falen këto dënime dhe konsideron se nëse insistohet që dënimet të paguhen qoftë edhe përmes procesit përmbarimorë , kjo do të ishte edhe një goditje për bizneset e stërlodhura dhe se premtimet për rimëkëmbje ekonomike do të konsiderohen si farsë. KMDLNj –ë kërkon që ndaj përmbaruesve privatë të bëhet një auditim nga shteti për faktin se jo gjithmonë punojnë në përputhje me mandatin që ua jepë ligji”, thuhet në reagim.
Reagimi i plotë:
TË FALEN BIZNESET DHE QYTETARËT QË JANË DËNUAR NË KOHË TË PANDEMISË !
Gjatë kohës së pandemisë së shkaktuar nga COVID -19 e që po zgjatë edhe sot ndonëse numri i viktimave dhe i të infektuarve ka rënë ndjeshëm , Policia e Kosovës ka shqiptuar shumë dënime për mosrespektim të masave sikur që Inspektorati ka dënuar shumë biznese , gjithashtu për mosrespektim të masave të vendosura nga Qeveria e Kosovës përkatësisht nga Ministria e Shëndetësisë. KMDLNj , që nga fillimi ka përkrahur masat kufizuese të vendosura nga Qeveria e Kosovës , ndonëse ishin kundër të drejtave të njeriut mirëpo , midis të drejtës për jetë dhe të drejtës për lëvizje të lirë , KMDLNj ishte dhe përcaktohet për mbrojtje të shëndetit dhe të jetës. Në të njëjtën kohë KMDLNj –ë pati kërkuar nga Qeveritë e Kosovës të marrin masa për të ndihmuar qytetarët që kanë mbetur pa punë apo që e kanë gjendjen e rëndë ekonomike. Realisht , gjatë kësaj kohe më së shumti e kanë pësuar bizneset , një numër i madh i tyre ka falimentuar kurse të tjerat , me orarë të reduktuar për shkak të kufizimeve të shumta kanë punuar dhe punojnë me humbje të cilat nuk subvencionohen nga qeveria Kurti e as që janë subvencionuar nga qeveitë e mëparshme në atë masë që të mos punojnë me humbje dhe të mos detyrohen të mbyllin bizneset. Me lehtësimin e masave janë krijuar kushtet që bizneset , jo të fitojnë apo të stabilizohen por vetëm të mbijetojnë duke shpresuar për një përkrahje nga qeveritë për të rimëkëmbur bizneset e tyre. Janë ndarë mjete të konsiderueshme për rimëkëmbje ekonomike por se nga këto mjete kanë përfituat kryesisht bizneset e fuqishme që , realisht as që kanë pasur nevojë për përkrahje.
Për më keq , në kohën kur janë lehtësuar pakëz masat kufizuese , është intensifikuar angazhimi i Inspekcionit që ka shqiptuar dënime shumë të rënda për biznese , thuaja të falimentuara , duke ua vështirësuar gjendjen edhe më shumë . KMDLNj –ë , vet ka monitoruar respektimin e masave dhe ka pasur raste kur ato nuk janë respektuar nga bizneset mirëpo ka kërkuar dhe kërkon mirëkuptim , për shkak të gjendjes shumë të rëndë në të cilën janë bizneset , nga ata që kanë shqiptuar dënimet , qoftë duke ua mbyllur biznesin apo duke ua shqiptuar dënimin me gjobë , që t’ua falin këto dënime , të mos ekzekutohen dënimet e shqiptuara për faktin se bizneset e kanë pësuar pikërisht për shkak të masave kufizuese dhe mungesës së duhur të përkrahjes për rimëkëmbje nga qeveritë e Kosovës.
KMDLNj –ë kërkon që edhe dënimet që iu janë shqiptuar qytetarëve , të falen shkaku se ishte një gjendje thuaja e jashtëzakonshme.
KMDLNj ka informata se disa biznese janë dënuar disa herë me gjoba 500 e më shumë euro dhe se nuk kanë asnjë mundësi t’i paguajnë dënimet.
KMDLNj –ë , që nga fillimi ka kërkuar që të falen këto dënime dhe konsideron se nëse insistohet që dënimet të paguhen qoftë edhe përmes procesit përmbarimorë , kjo do të ishte edhe një goditje për bizneset e stërlodhura dhe se premtimet për rimëkëmbje ekonomike do të konsiderohen si farsë.
KMDLNj –ë kërkon që ndaj përmbaruesve privatë të bëhet një auditim nga shteti për faktin se jo gjithmonë punojnë në përputhje me mandatin që ua jepë ligji.