KMDLNj: Rritja e çmimit të rrymës – veprim kri*minal, kërkohet protestë gjithë popullore
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për shtrenjtimin e energjisë elektrike për 16%.
Në një deklaratë të gjatë dhe të drejtpërdrejtë, KMDLNj i quan zyrtarët e ZRrE-së “kusarë” dhe “strukturë të organizuar kriminale”, duke i akuzuar për mashtrim, varfërim të qytetarëve dhe shkelje të të drejtave ekonomike e sociale të popullit.
“Përkundër kundërshtimit plebishitar të qytetarëve kundër shtrenjtimit të energjisë, kusarët e ZRrE-së sot morën vendim që faturat të jenë 16% më të larta. Kjo është një goditje direkte ndaj qytetarëve nga një qeveri në detyrë dhe një bord i politizuar”, thuhet në reagim.
Kundër shtrenjtimit të rrymës ka pasur reagime të shumta nga profesionistë të fushës , oda ekonomike dhe biznese , nga pensionistë dhe kategori sociale, media dhe organizata për mbrojtje të konsumatorit dhe të drejtave të njeriut, por janë shpërfillur nga qeveria në detyrë dhe ZRRE-ja.
“Qytetarët e Kosovës duhet të marrin shembull nga shtetet më të zhvilluara evropiane që për raste shumë më të lehta se ky veprim kriminal i ZRRE-së, bënë protesta të përditshme dhe të fuqishme deri sa rrëzuan edhe qeveri e lëre më dorëheqje ministrash. Në Hungari vetëm sa u shtrenjtuan thuaja simbolikisht shërbimet për internet, e tërë Hungaria u përfshi në demonstrata dhe u krijua gjendja e jashtëzakonshme. Protestat në Kosovë duhet të kenë karakter ekonomik dhe social dhe duhet të përfshijnë të gjitha kategoritë e qytetarëve, pavarësisht përkatësisë etnike, fetare, moshës, gjinisë, statusit në shoqëri apo bindjeve politike. Duhet të kërkohet shkarkimi dhe përgjegjësi penale për ZRRE-në, ministren në detyrë sikur edhe të hetohet importimi i energjisë elektrike shkaku se ka dyshime se rryma është shitur lirë nga Kosova dhe është blerë me çmime shumë të larta”, thuhet në reagim.
KMDLNJ po ashtu kërkon kompensimin e parave gjatë periudhës 15- vjeçare për qytetarët e Kosovës për rrymën e shpenzuar në veri, si dhe të eliminohet taksa fikse prej 2 eurove për mbi 500.000 njehsorë në Kosovë, për të cilën nuk ka bazë ligjore.
“Qytetarët e pakënaqur nuk duhet ta përjashtojnë as grevën e urisë në mbrojtje të mbijetesës së tyre kundër keqbërësve të cilësdo qeveri dhe instrumentit të saj ZRRE-së. KMDLNJ ka përkrahur dhe do të përkrahë çdo protestë apo mënyrë tjetër të kundërshtimit qytetar, në mbrojtje të dinjitetit, statusit ekonomik dhe social”.