03-10-2025

“Kobra”: S’po kërkoj liri por të zbardhet rasti, jam i vrarë në këtë rast- m’u shkatërrua imazhi

Pas dhënies së fjalës përfundimtare nga prokurorja speciale, Habibe Salihu, seanca e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, vazhdoi me fjalën përfundimtare nga i akuzuari Dibran Hoxhaj i njohur si “Koba” dhe katër të akuzuarit Roland Susuri, Arben Vezaj, Burim Mazreku dhe Jesmir Badalli, bashkë me mbrojtësit e tyre. Para trupit gjykues, “Kobra” tha se kërkon të zbardhet rasti, derisa përmendi se i është shkatërruar imazhi e 270 mijë euro investim.

Të akuzuarit ngarkohen për rastin e vrasjes së V.C., më 3 janar 2023 në lokalin “Kobra City” në Prizren, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nuk po kërkoj liri, nuk po kërkoj falje, nuk po kërkoj tolerim, veç po kërkoj të zbardhet rasti se unë jam i vramë në këtë rast. 270 mijë euro investim m’u kanë shkatërru, imazhi jem u shkatërru, liria më është kufizu. Lus gjykatën që të shef të gjitha deri në pikën më të vogël për zbardhjen e këtij”, tha Kobra.

I akuzuari Dibran Hoxhaj tha se nga punëtorët ka kërkuar që vetë t’iu dërgohet fatura klientëve dhe të mos krijojnë problem. Tha se nuk a ka ditur se kush ka shkaktuar problem në lokal ditën kritke.

Hoxhaj pyeti se si ka mundësi ta ketë njohur veturën e të dëmtuarve dhe të shtie në drejtim të tyre me armë, kur nuk i ka njohur paraprakisht.

Po ashtu, Hoxhaj deklaroi se pretendimet e përfaqësuesit të palës së dëmtuar- avokatit Emrush Kastrati për inskenim, nuk janë të vërteta pasi që nuk është regjisor për të krijuar filma.

Paraprakisht, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Kastrati në fjalën përfundimtare tha se ndaj Hoxhajt, Prokuroria është dashur t’ia shtojë edhe veprën penale të “Vrasjes në tentativë” ndaj O.Sh.

Kastrati tha se reagimi i të akuzuarit Hoxhaj në njërën nga seancat gjyqësore duke kërkuar llogari nga njëri i akuzuar për DVR-in e kamerave, sipas tij, ishte inskenim.

Lidhur me të kaluarën kriminale, avokati Kastrati tha se vetëm i akuzuari Burim Mazreku nuk ka të kaluar kriminale, ndërkaq gjithë të akuzuarit tjerë janë të dënuar për vepra penale.

Sipas avokatit Kastrati, është e çuditshme se si gjykatat, Dibran Hoxhajt i kanë shqiptuar dënime në 19 vendime penale, duke mos pasur parasysh politikën ndëshkimore në ato raste.

Më pas, mbrojtësi i Hoxhajt, avokati Florent Latifaj tha se gjykata vendimin e bazon në provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe se deklaratat e të dëmtuarve dhënë përmes mundësisë së hetuesisë së veçantë, nuk janë të njëjta.

Sipas avokatit Latifaj, një i dëmtuar kishte deklaruar se kishin pirë alkool, e tjetri e mohon si rrethanë.

Po ashtu, avokati Latifaj pyeti se si ka qenë e mundshme që një i lënduar me plumb në këmbë, e tjetri i vdekur, ta kalojnë kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë- si të dëmtuar.

Latifaj gjithashtu tha se nga kamerat që janë siguruar, nuk është vërtetuar me saktësi se vetura e parkuar në lokalin “Kobra City” të ishte e të mbrojturit të tij.

Ai tha se nga ekspertiza balistike është konstatuar madhësia e plumbit 1 me 19, ndërkaq në dispozitiv të aktakuzës thuhet plumbi me madhësi 1 me 21. Andaj, sipas tij, Prokuroria ka pasur për qëllim që të tregojë se Hoxhaj është i dënuar 17 ose 19 herë e jo të flasë për rrethanat e rastit konkret.

Në fund, avokati Latifaj tha se Hoxhaj nuk ka të bëjë me vrasje dhe se gjykata barrën e të provuarit ta kërkojë në dosjen që Prokuroria e ka dorëzuar dhe provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, ku do të gjendet edhe pafajësia e Hoxhajt.

Seanca vazhdoi me fjalën përfundimtare nga mbrojtja e Susurit, avokati Ruhan Salihu, i cili tha se Prokuroria nuk ka prova dhe dëshmitarë që Susuri të ketë manipuluar me prova dhe se i njëjti ndien përgjegjësi vetëm sa i përket rrahjes që ka ndodhur në lokal.

Salihu kërkoi nga Gjykata që të nxjerrë aktgjykim lirues lidhur me armëmbajtje dhe manipulim të provave. Ndërkaq për “Pjesëmarrje në rrahje” të sjellë një dënim duke përllogaritur edhe kohën e kaluar nën masën e paraburgimit.

Vetë i akuzuari Susuri derisa u deklarua tha se si ka mundësi që të ketë futur DVR në xhep, siç ka pretenduar dëshmitarja, duke sqaruar se madhësia e DVR-it është e madhe dhe jo sa e një telefoni.

Po ashtu, ai tha se nëse dënohet për vepra tjera penale- si për armëmbajtje pa leje, kërkon të dijë se cilën armë e ka poseduar dhe çfarë tipi, apo nëse dënohet për manipulim me prova- të specifikohet se me cilat prova, me arsyetimin që sipas tij së paku kur të dënohet ta dijë se për cilat veprime e merr dënimin.

Lidhur me rrahjen, Susuri tha se në lokal të gjithë janë rrahur, përfshirë edhe të dëmtuarit. Tha se edhe vetë ka pasur dëmtime nga rrahja.

Për të akuzuarin Vezaj, avokati Blend Gjini tha se pas administrimit të provave materiale dhe personale, nuk është vërtetuar se Vezaj ka kryer veprat penale për të cilat është akuzuar.

Po ashtu, Gjini tha se i vetmi Vezaj ka pasur kontratë pune me Hoxhajn dhe se ai ka marrë lëndime nga rasti në natën kritike.

Po ashtu, Gjini tha se Vezaj ka qenë personi që ka telefonuar tri herë policinë dhe se një rrethanë e tillë vërtetohet përmes numrit të telefonit të tij. Avokati i propozoi Gjykatës që ndaj Vezajt të nxirret aktgjykim lirues.

Tutje, fjalën përfundimtare e dha edhe mbrojtësi i Mazrekajt, avokati Gent Gjini, duke thënë se plumbi që është nxjerrë nga viktima V.C., nuk përkon me milimetrat që Prokuroria pretendon në aktakuzë.

Po ashtu, Gjini tha se me faktin se nuk është gjetur arma që është përdorë, nuk ka mundur që te viktima të përcaktohet madhësia e plumbit. Në fund, avokati Gjini kërkoi aktgjykim lirues ndaj Mazrekajt.

Mazrekaj nuk shtoi asgjë, por e mbështeti avokatin Gjini.

Krejt në fund, fjalën përfundimtare e dha mbrojtësi i Badallajt, avokati Jeton Rekathati, i cili tha se aktakuza e Prokurorisë duhet të plotësojë standardin e dyshimit të bazuar mirë për t’u ngritur dhe se në rastin konkret ky standard nuk është respektuar nga Prokuroria.

Gjithashtu, Rekathati tha se dispozitivi aktakuzës është i paqartë dhe nuk speifikohen saktë veprimet, andaj nga Gjykata kërkoi që ndaj Badallajt të nxirret aktgjykim lirues.

Vetë i akuzuari Badallaj, tha se nuk ka çfarë të shtojë, por e mbështeti avokatin Rekathati.

Fjala përfundimtare në rastin “Kobra”, prokurorja: Dibran Hoxhaj veproi në mënyrë të vrazhdë, për t’u treguar si i fuqishëm dhe i mbuluar me ari

Prishtinë- Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të enjten po jepet fjala përfundimtare nga palët në procedurë, në gjykimin për vrasjen e të riut në lokalin “Kobra City” në Prizren. Prokurorja speciale Habibe Salihu gjatë elaborimit të fjalës përfundimtare, kërkoi dënimin e të akuzuarve, derisa theksoi se i akuzuari Dibran Hoxhaj veproi në mënyrë të vrazhdë, për t’u treguar si person i fuqishëm i rrethuar me njerëz dhe i mbuluar me ari.

Në këtë rast, Dibran Hoxhaj i njohur si “Koba” dhe katër të akuzuarit Roland Susuri, Arben Vezaj, Burim Mazreku dhe Jesmir Badalli, akuzohen për rastin e vrasjes së V.C., më 3 janar 2023 në lokalin “Kobra City” në Prizren, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurorja Salihu gjatë fjalës përfundimtare tha se i akuzuari Hoxhaj veproi me dashje dhe në mënyrë të vrazhdë, për të treguar forcën e tij si person i fuqishëm i rrethuar me njerëz dhe i mbuluar me ari.

Po ashtu, Salihu tha se Hoxhaj ka vepruar në mënyrë të ftohtë dhe ka vënë në rrezik jetën e personave tjerë të dëmtuar. Tha se i gjithë rasti nisi si pasojë e mospagesës së faturës nga të dëmtuarit- shtetasit e Shqipërisë.

Kurse, për të akuzuarit tjerë, tha se nga deklaratat e dëshmitarëve është vërtetuar se kanë kryer veprën penale të rrahjes dhe manipulimit me prova.

Lidhur me rrahjen mes të dëmtuarve dhe të akuzuarve, prokurorja tha se dëshmitarët kanë dëshmuar se ishte serioze.

Sipas saj, nga provat e siguruara dhe të administruara para trupit gjykues, pa mëdyshje janë vërtetuar veprat penale të kryera nga të akuzuarit.

Prokurorja Salihu kërkoi që evidenca e të kaluarës kriminale të të akuzuarve, të merret si rrethanë rënduese gjatë shqiptimit të dënimit, pasi të akuzuarit janë përsëritës të veprave penale dhe kanë edhe më herët aktgjykime të formës së prerë. Andaj, kërkoi që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe t’iu shqiptohet dënim meritor sipas Kodit Penal, duke marrë parasysh pasojën e shkaktuar, rrezikshmërinë shoqërore.

“Vërtetohet se edhe më parë ka qenë kryerës i veprave penale, ka 17 aktgjykime të formës së prerë (Dibran Hoxhaj), po ashtu në mënyrë mjaft të vrazhdë e ka kryer veprën penale. Propozoj që duke marrë parasysh të gjitha këto fakte të akuzuarit t’i shpallni fajtorë, t’iu shqiptoni dënim siç është paraparë me Kodin Penal të Republikës së Kosovës”, tha prokurorja.

Sipas saj, nuk ka asnjë rrethanë që i përjashton të akuzuarit nga përgjegjësia penale.

“Janë përgjegjës për kryerjen e këtyre veprave penale, nuk ka asnjë rrethanë që të njejtit i përjashton nga përgjegjësia penale. Propozoj që gjatë shqiptimit të dënimit të vlerësohet rrezkishmëria shoqërore e kësaj vepre penale, pasojat që shkaktohen nga këto vepra penale për shoqërinë janë jashtëzakonisht të dëmshme si dhe propozoj që të kofiskohen sendet që janë konfiskuar me vendim”, tha prokurorja Salihu.

Në këtë seancë, pritet të vazhdojë dhënia e fjalës përfundimtare nga mbrojtja e të akuzuarve dhe vetë të akuzuarit.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 20 shkurt 2024, ka ngritur aktauzë kundër Dibran Hoxhajt i njohur si “Kobra” dhe Roland Susurit, Arben Vezajt, Burim Mazrekut dhe Jesmir Badallit, për vrasjen e shtetasit të Shqipërisë në Prizren më 3 janar 2023.

Në aktakuzën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, “Kobra”, akuzohet se më 3 janar 2023, në ora 4:10, në afërsi të lokalit të tij “Kobra City”, në magjistralen Prizren-Zhur, me dashje ka privuar nga jeta V.C,  duke vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarve R.T (Sh) dhe A.B.

Deri të rasti, sipas aktakuzës së Prokurorisë kishte ardhur pasi të dëmtuarit nuk ishin pajtuar me faturën e lartë në lokal, duke filluar kështu një zënkë me punëtorët e lokalit.

Më 13 maj 2024, “Betimi për Drejtësi” kishte raportuar se Themelorja ua kishte konfirmuar të akuzuarve aktakuzën që mund ta lexoni të plotë duke klikuar KËTU./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

/////

Spotet zgjedhore:

Mund të jetë një imazh i 3 persona dhe teksti që thotë "144 E Prizren Hel'rizren #en Prizren #uePrizren Dallimi yne nga të tjerët është i qartë; NE për Prizrenin, vendosim në Prizren!"

 

Asnjë koment

Comments are closed.