Kokainën e blerë në Shqipëri ia kapin në kufi, ky është i riu që u ndalua nga Polici në Vërmicë
Policia dhe Dogana e Kosovës kanë zhvilluar sot një aksion në pikëkalimin kufitar në Vërmicë, që rezultoi me sekuestrimin e një sasie të substancës së dyshuar narkotike të llojit kokainë, si dhe arrestimin e një personi të dyshuar. I dyshuari që u kap është shtetas i huaj dhe i njëjti tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari që u arrestua lidhur me këtë rast është Yasar Mirkandeniz, 18-vjeçar, shtetas i huaj, i cili u ndalua në kufi për kontroll, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme.
I dyshuari ka deklaruar në Polici se drogën e llojit kokainë, që ia gjeti Policia, e ka blerë në Shqipëri, për rreth 1 mijë euro.
“Gjatë kontrollit të mjetit të lartcekur në një kuti çamçakëzi brenda një çante është gjetur një qese me pluhur të bardhë, substancë e dyshuar e llojit kokainë, në sasi prej rreth 8 (tetë) gramësh.
I dyshuari me iniciale Y. M. ka pranuar se sasia e substancës së dyshuar i përket atij dhe se e njëjta është blerë në Republikën e Shqipërisë.”, ka njoftuar Policia.
Pas përfundimit të procedurave, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj të dyshuarit të iniciohet rasti ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’ dhe brenda afatit ligjor të dorëzohet kallëzimi penal.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.