Komanda e Forcave Tokësore e FSK-së realizon ushtrimin fushor “Tango Mike”
Në kuadër të përgatitjeve për validimin e Regjimentit të Tretë të Këmbësorisë, Kompania e Armëve e Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK) ka realizuar ushtrimin fushor “Tango Mike”.
Sipas njoftimit të FSK-së, që është publikuar në Facebook, ushtrimi kishte si fokus testimin e funksionimit të komandës dhe ndërlidhjes ndërmjet togjeve, si dhe vlerësimin e aftësive të dislokimit në terren, lëvizjes taktike, vendosjes në pozita mbrojtëse dhe mbështetjes me zjarr për njësitë operacionale të këmbësorisë.
“KFT ka realizuar Ushtrimin Fushor “Tango Mike”. Në kuadër të përgatitjeve për validimin e Regjimentit të Tretë të Këmbësorisë, Kompania e Armëve ka realizuar ushtrimin fushor “Tango Mike”, me qëllim vlerësimin e kapaciteteve operacionale dhe aftësive taktike të togjeve, si dhe testimin e funksionimit të komandës dhe ndërlidhjes në kushte të ngjashme me ato reale të betejës. Në këtë ushtrim janë validuar togjet e kompanisë, duke u vlerësuar në aspektin e dislokimit në terren, lëvizjes taktike, vendosjes në pozicione mbrojtëse dhe mbështetje më zjarre për njësitë operacionale të këmbësorisë”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
