30-05-2025

Komandant PASULI!

Nga: Behxhet Sh.  SHALA – BAJGORA

Shpërfytyrim i një madhështie: E lavdishme Ushtria Çlirimtare e Kosovë doli nga populli që e donte lirinë pa pyetur për çmim që duhej paguar. Robëria e gjatë sidomos në shekullin e fundit, përveç mizorive të Jugosllavisë dhe Serbisë që kishte për synim shfarosjen e pjesës liridashëse të popullit shqiptarë, arriti që një pjesë jo të vogël të këtij populli ta bëjë për vete përmes beneficioneve të shumta deri në shkombëtarizimin e tyre duke u deklaruar si jugosllav dhe serbë. Pikërisht këta të shkombëtarizuar, duke i shërbyer qençe Jugosllavisë dhe Serbisë ushtruan dhunën më të madhe ndaj patriotëve të bindur shqiptarë.

Ishin udbashë jugosllav dhe serbë që flisnin shqip që torturuan deri në vdekje shumë ish të burgosur dhe ish të burgosura politike shqiptare. Masakrën në Drenicë pas kryengritjes kombëtare shqiptare e udhëhequr nga patriotët Shaban Polluzha dhe Mehmet Gradica e bënë partizanët e Fadil Hoxhës dhe Ali Shukrisë sikur edhe partizanët e Brigadës së Parë nga Shqipëria që udhëhiqej nga Shefqet Peqi. Masakrën e Tivarit e bënë partizanët serbë dhe malazias kurse partizanët e Shqipërisë nuk e penguan këtë. Patriotët nacionalist shqiptarë, Gjon Serreçi, Marie Shllaku, Ymer Berisha dhe të tjerët u morën në pyetje nga shqipfolësit, u torturuan nga ta dhe rekrutuan shumë dëshmitarë shqipfolës. Bacën Adem Demaçi fillimisht e denoncuan në UDB në Beograd sa ishte në studime, studentët shqipfolës të rekrutuar nga UDB-ja. Pikërisht këta edhe dëshmuan kundër Bacës Adem për t’u bërë pastaj emra të shquar intelektualë dhe autoritete politike në Kosovë gjithnjë në shërbim të Jugosllavisë dhe Serbisë dhe kundër interesave kombëtare. Këta e mbytën nën torturë Fazli Grajçevcin, Shaban Shalën dhe shumë të tjerë.

Këta ishin hetues,  torturues, prokurorë dhe Gjykatës kundër patriotëve shqiptarë në procese politike e që pas përfundimit të luftës së dytë botërore njëjtësoheshin në personalitetin që i dha kuptim luftës për çlirim dhe bashkim kombëtar, të Papërsëritshmin dhe të Amshueshmin, Bacë Adem Demaçi. Ishte dhe mbeti Komandanti Politik i Shqiptarëve që lind një herë në 1000 vjet sikur që është edhe Komandanti Legjendar i të lavdishmes Ushtri Çlirimtare e Kosovë, Adem Jashari.

Pikërisht të frymëzuar nga dy komandantët e shqiptarisë, që të dy sakrifikues që nuk njeh bota, Baca Adem duke bërë 28 vite burg efektiv në llogoret e ish-Jugosllavisë sikur që pjesën tjetër të jetës e kaloi duke kundërshtuar robërinë ndërsa Legjendari Adem Jashari u sakrifikua personalisht, bashkë me familjen që i kishte edhe bashkëluftëtarë, shumë të rinj dhe të reja iu shkuan pas në rrugëtimin e gjatë dhe të rrezikshëm për liri dhe bashkim kombëtar gjatë aktiviteteve ilegale dhe legale,  nëpër burgje dhe llogore sikur edhe në luftën çlirimtare të UÇK-së. Aty, shumë prej tyre e fituan lavdinë dhe pavdekësinë. Kishte ushtarë dhe ushtare në moshë fare të njomë, që luftës iu bashkuan nga bankat shkollore.

Çka ndodhi pastaj: Nuk thuhet kot se luftën e bëjnë idealistët kurse pushtetin e marrin, në shumë raste maskarenjtë dhe horrat. As Kosova nuk bënë përjashtim. Pjella e ish udbashëve u bë pjesë e Policisë së Kosovës, mendësia jugosllave dhe serbe, tash të mbështjellur me një patriotizëm shqiptar kapi mediat, diplomacinë, shoqërinë civile dhe u metastazuan në të gjitha segmentet e shoqërisë si këshilltarë,  anëtarë të ekipeve negociatore duke ndikuar në shumë procese vendimmarrëse, në dëm të Kosovës dhe çështjes kombëtare.

Mendermethënë Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës u dominua në shumicën e kohës nga të rekrutuar të mëhershëm nga UDB-ja, madje në krye të saj ishte edhe një i rekrutuar nga KOS  – Shërbimi Kundërzbulues Ushtarak i Jugosllavisë përgjegjës për vrasje të shumë ushtarëve shqiptarë dhe kurdisje të shumë proceseve politike para gjykatave ushtarake ku janë dënuar me qindra e qindra ushtarë shqiptarë.

Nëse e analizojmë, qoftë edhe sipërfaqësisht përbërjen e qeverisë Kurthi 1 dhe 2 e sidomos Listën e deputetëve në dy mandatet e fundit ku ka dominuar LV-ja, atëherë lehtësisht bindeni se as në kohën e Rrahman Morinës nuk ka pasur më shumë antikombëtarë. Disa që kanë pasur të kaluar kombëtare mbresëlënëse, janë zbutur me poste dhe favore kurse disa nuk pyeten as sa kushton “pazari i qenve”. Disa që patriotizmin e kanë të trashëguar, janë bërë më të këqij se ata që gjë nuk kanë bërë për këtë vend duke e përlloçur dhe turpëruar këtë trashëgimi. Madje, duke keqpërdorur këtë trashëgimi janë bërë grabitqarë të posteve dhe përfitues të pamerituar dhe të paskrupullt të të mirave materiale. Hajdutë dhe keqbërës ordinerë.

Një ish udhëheqës jugosllavë, Millovan Gjillas, pastaj i shndërruar në disident e pati lënë një thënie antologjike që nuk e luan as topi: “vllast je najveća stras..”, në shqip: “pushteti është pasioni më i madh ..”. Pushteti ka koritur dhe shpërfytyruar politikanë dhe burra me histori të lavdishme dhe lëre më këta adoleshentët politikë të LV-së që asgjë nuk kanë bërë për këtë vend përveç që i marrin çdo gjë duke e vjedhur pamëshirshëm nën mbrojtje të Kupolës së Hekurt të Albin Babës.

 

 

Në kohën kur para një Gjykate Speciale Raciste po gjykohet Ushtria e Lavdishme Çlirimtare e Kosovës dhe po bëhen përpjekje për kriminalizim të një luftës çlirimtare me qëllim të fundit të rishkrimit të historisë kombëtare, nuk më habit aspak fakti se pushteti e pret me padurim dënimin e udhëheqësve të luftës dhe paqes, të krijuesve të shtetit dhe shpallësve të pavarësisë,  konsolidimit të shtetit përmes 120 njohjeve ndërkombëtare, ndërtimit të infrastrukturës rrugore më të mirën në Ballkan  dhe shumë të arritura tjera sa më habit fakti se një numër i tyre që kanë bërë luftë të lavdishme, me shumë sukses,  sot janë bërë zëdhënës të atyre që e duan dënimin e çlirimtarëve, dërgojnë dëshmi që i marrin nga Serbia, përgatisin dëshmitarë të rrejshëm, pakësojnë fondet për mbrojtje dhe kërkojnë që ata të mos kthehen në Kosovë sepse mund ta eskalojnë situatën. A shihni këtu ndonjë dallim nga kërkesat e Serbisë?!

Ministri i FSK-së sot, dikur ushtar i guximshëm i UÇK-së sot është shndërruar në një propagandues të paskrupullt të pushtetit, në vend të përkrahë pengjet e Hagës, ua rëndon situatën. Rrenë botërisht se: “letra e Hashim Thaçit dërguar KFOR-it, na pamundëson ta dërgojmë FSK-në, në veri të Kosovës..”. E kanë zënë në rrenë në Bullgari, në Amerikë, ka kaluar kufijtë e Kosovës për këtë aktivitet. Tash, nga një komandant i UÇK-së, është shndërruar në Komandant Pasuli, dikur shpërndante plumba kundër ushtarëve, policëve dhe paramilitarëve të Serbisë,  tash po shpërndanë pordhë të Albin Kurthit kundër atyre që e sollën lirinë dhe e ndërtuan shtetin e që pushteti me padurim po pret të dënohen nga Gjykata Raciste Speciale.

Nuk e di të ketë mallkim më të madh të historisë dhe përfundim më të turpshëm se kur nga një ushtar shembullor i Komandantit Legjendar Adem Jashari të përfundosh si rrogëtar i nënshtruar i “komandantes” Dejona Mihali!

P.S.
Shkrimet e opinioneve janë shprehje e mendimit të lirë, dhe jo domosdoshmërisht përfaqësojnë edhe qëndrimin e portalit “GazetaePrizrenit.net”.

Asnjë koment

Comments are closed.