Komisioni refuzoi kërkesën e Lirisë për Feronikelin ’74, vjen reagimi nga zyrtari i klubit prizrenas
Klubi nga Prizreni ditë më parë kërkoi nga Komisioni i Apelit në FFK që Feronikeli ’74 të dënohet me heqje prej nëntë pikësh.
Krejt kjo për arsye se klubi drenicas kishte aktivizuar futbollistë në ndeshjen e Kupës së Kosovës ndaj Trepçës ’89 që s’ishin fare të regjistruar.
Për këtë arsye, skuadra që drejtohet nga Granit Begolli e humbi edhe ndeshjen me rezultat zyrtar 3:0, ani pse të njejtën e kishte fituar në fushë minimalisht 1:0.
Por, komisioni i drejtuar nga Sitki Baftiu e ka vlerësuar si të pabazë kërkesën e klubit prizrenas.
“Komisioni për Ankesa – shkalla e dytë në mbledhjen e mbajtur më datë 22.02.2023 pas shqyrtimit të të gjitha shkresave, argumenteve dhe provave shtesë të ofruara konstatoi se vendimi i Komisionit të Garave datë 14.02.2023 është i drejtë dhe Vërtetohet, ndërsa ankesa e KF “Liria” refuzohet si e pa bazuar”, shkruhet mes tjerash në vendim.
FrontOnline e ka kontaktuar edhe zyrtarin e Lirisë së Prizrenit, Bashkim Kajdomçaj.
Ndonëse thotë se nuk e ka lexuar ende këtë vendim, i njejti është i bindur se kërkesa e tyre ishte e drejtë.
“Nuk e kam lexuar ende plotësisht vendimin e komisionit në fjalë, por jam i bindur se kërkesa jonë është e bazuar dhe e drejtë. Do të shterojmë të gjitha mundësitë, tash do të ankohemi në komisionin tjetër, atë të Komitetit Ekzekutiv”, deklaroi ai.
I pyetur nëse rastin do ta dërgojnë në CAS (Gjykata e Arbitrazhit Sportiv”, ai tha se do të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë brenda vendit.
“Do të shfrytëzojmë deri në fund të gjitha opsionet dhe pastaj le të shohim”, deklaroi të enjten Bashkim Kajdomçaj”.
Ndryshe, Feronikeli ’74 i kishte aktivizuar gjashtë futbollistë që nuk ishin të regjistruar konform rregullores për regjistrimin, statusin dhe transferimin e futbollistëve, prandaj edhe e humbi në tavolinë ndeshjen e së tetës së finales së Kupës së Kosovës nga Trepça ’89./FrontOnline/