Komuna e Malishevës dhe ajo e Meyrinit të Zvicrës zotohen për forcimin e bashkëpunimit
Sot ka përfunduar vizita e delegacionit nga Komuna e Meyrin, kantoni i Gjenevës në Zvicër, të cilët ishin mysafir të Komunës së Malishevës, dhe kanë qëndruar në vendin tonë për tri ditë, ku kanë vizituar dhe janë njohur me të vendet kulturore dhe historike të vendit, si dhe janë takuar me autoritetet lokale të Malishevës.
Në këto takime, këto komuna janë zotuar për vazhdimin dhe forcimin e bashkëpunimit të ndërsjellë në të gjitha fushat me interes të përbashkët, e sidomos në forcimin e lidhjeve kulturore dhe arsimore.
Delegacioni nga Myrin, ishte i përbërë nga Këshilli i Kryetarëve të Komunës së Meyrin, në Gjenevë të Zvicrës, në përbërje Pierre Alain Tschudi, ish kryetari Jean-Marc Devaud dhe kryetarja në ardhje, Nathalie Leuenberger dhe ishin të shoqëruar nga “Rrethi shqiptaro-meyrinas”, kryetari Agim Paçarizi, anëtarët e kryesisë së shoqatës, Lindita Telkiu dhe Avdyl Hamza.
Pas takimit zyrtar në Malishevë, ku ishin pritur nga kryetari i Komunës, Ragip Begaj me bashkëpunëtorë kanë vizituar SHFMU “Emin Duraku” në Dragobil, shkollë e cila ishte përfituese e mjeteve të teknologjisë informative dhe inventarit shkollor, të cilat nga Meryin, ishin sjellë në këtë shkollë, falë kontributit të “Rrethit shqiptaro-meyrinas”, organizatë shqiptare, e cila gëzon respekt të jashtëzakonshëm në Meyrin dhe në tërë kantonin e Gjenevës.
Në njoftimin e komunës, thuhet se më pas, janë vizituar edhe Qendra e Kompetencës “Kujtim Krasniqi”, çerdhja, Ujëvarat e Mirushës, stadiumi i qytetit, ku janë takuar edhe me futbollistët e klubit të qytetit, pishinat e në Banjë dhe është bërë një shëtitje nëpër qytetin e Malishevës.
“Në takimin përmbyllës Begaj dhe Tschudi, janë zotuar për vazhdimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët, si dhe kanë lënë porosinë që edhe në të ardhmen nga brezat e tjerë të vazhdohet me këtë bashkëpunim, dhe të vazhdohet miqësia e krijuar në mes të dy vendeve”, thuhet në njoftim.
Takimi ishte vëllazëror dhe përfaqësuesit e dy komunave, janë ndarë të kënaqur me pritjen dhe vizitën, të cilët edhe kanë shkëmbyer dhurata me shenjat emblematike të dy komunave dhe të dy vendeve.
Miqësia në mes të dy komunave dhe bashkëpunimi i mirë që është duke vazhduar, është arritur falë lobit shqiptar në Zvicër që i kanë krijuar këto lidhje dhe të cilat janë dalë të jenë lidhje të fuqishme dhe me rëndësi për të dy komunat, pasi në këtë pjesë të Zvicrës, jetojnë dhe punojnë një pjesë e madhe e mërgimtarëve tanë, sidomos nga Malisheva./GazetaePrizrenit.net