Komuna e Prizrenit akuzon prokurorinë se lejoi hapjen e objektit pa pranim teknik
Komuna pretendon që ky objekt që KALLXO.com mëson se është ‘Abi Qarshia’ e hapur solemnisht të shtunën, ka kaluar lejen ndërtimore në një pjesë të saj dhe ka uzurpuar një rrugë publike.
Ata po ashtu thonë se objekti është lëshuar në përdorim pa dokumentet e pranimit teknik dhe për këtë gjë komuna ka vendosur shirita rreth objektit.
Kryetari i kësaj komune, Mytaher Haskuka përmes një statusi në Facebook tha se prokuroria e Prizrenit e ka urdhëruar komunën t’i heqë këta shirita.
“Komuna e Prizrenit bazuar në ligjet në fuqi kërkon që të gjitha objektet që funksionalizohen të kenë pranimin teknik, prandaj javën e kaluar inspektorët komunalë kanë intervenuar në një qendër tregtare për shkak të mungesës së pranimit teknik. Por gjatë intervenimit, inspektorët komunalë jo vetëm që nuk kanë hasur në bashkëpunim nga prokuroria, madje kanë marrë edhe telefonatë nga prokurorja kujdestare e cila ka kërkuar nga inspektorët që t’i heqin shiritat ndalues nga objekti”, shkroi Haskuka
Ai më tej shtjelloi ngjarjen që ndodhi pas hapjes solemne të këtij objekti.
“Objektet e tilla pa pranim teknik paraqesin rrezik publik, prandaj janë të obliguar t’i sigurojnë këto leje. Pas vendosjes së shiritit ndalues, pronari i objektit inspektorëve iu ka thënë se do t’i largojë ato krye në vete pas largimit të tyre. Ky veprim i palës paraqet vepër penale, prandaj sipas procedurës, zyrtarët komunalë rastin ia kanë lajmëruar prokurores kujdestare si dhe policisë. Pas pak prokurorja kujdestare ka thirrur inspektorët në terren dhe u është kërcënuar me fjalë, se “kryeprokurori rajonal ju urdhëron që t’i largoni menjëherë shiritat ndalues”, tha Haskuka.
Ai shtoi se “për çfarëdo fatkeqësie që mund të ndodhë në të ardhmen në këtë objekt, të gjithë përgjegjësinë do ta marrë kryeprokurori rajonal, e me të edhe përgjegjësinë juridike për moszbatim të ligjit”.
Pronari i objektit ‘Abi Qarshia’, Irfan Fusha tha se komuna po i bën padrejtësi biznesit.
“Ne e shohim që është pengesë e biznesit, sipas të gjitha informatave nga ana e inspektoratit i cili na ka ardhë të enjten nga ora e fundit të orarit të punës, në 15:30 dhe na kanë treguar që kemi nevojë me e bë para se me bë hapjen, me bo pranimit teknik. Prandaj ne të premtën kemi marrë iniciativë dhe kemi bërë kërkesën për pranimin teknik dhe ata apet të shtunën në ditën e hapjes erdhën me gjithë polici, inspektorati komunal na qiti shiritat, me e pengu hapjen e ‘Abi Qarshia’, ku janë punësuar 1200 persona”, tha Fusha pèr KALLXO.com
“Dëm, boll stres që na kanë bo, jo vetëm ndaj neve por edhe investitorëve të huaj sepse kemi investitorë nga Turqia, Anglia, Italia dhe ata janë shqetësuar. Nuk na dhanë afat fare për pranim teknik. 24 orë krejtësisht kemi pasë afat”, shtoi ai.
Ndaj akuzave të komunës ka reaguar Prokurorira e Prizrenit duke mohuar që kjo prokurori ka mbrojtur paligjshmërinë.
“Kryeprokurori Shala, nuk është përzier për asnjë moment në rastin në fjalë, ndërsa prokurorja kujdestare ka vepruar me përgjegjësi, paanshmëri dhe pavarësi të plotë konform dispozitave ligjore për të cilat është e obliguar që t’ i zbatoj. Mospranimi teknik i objektit është kundërvajtje dhe jo vepër penale, andaj ndërhyrja e Prokurorisë në këto raste është e pa nevojshme. Ndërsa, sa i përket dyshimit për heqje të shiritave, personat përgjegjës do të ndiqen penalisht konform dispozitave ligjore të parapara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Ata shtuan se bashkëpunimi me Komunën e Prizrenit ka qenë i mirë në të kaluarën dhe do të vazhdojë të jetë i tillë edhe në të ardhmen.
Lidhur me problemet e komunës me këtë objekt KALLXO.com ka raportuar më herët