Komuna e Prizrenit nuk shkon në gjyq pasi u padit nga mësimdhënësja
Megjithatë, mungesa e palës së paditur lejohet sipas Ligjit të procedurës kontestimore.
Përmes padisë së saj, Bukurie Krasniqi po kërkon nga Gjykata Themelore në Prizren, që të marrë vendim me të cilin obligohet Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA) në Prizren që ta sistemojë atë në një vend pune si mësimdhënëse, shkruan kallxo.com.
Sipas paditëses, DKA është e obliguar ta sistemojë atë në një vend të punës si mësimdhënëse, duke u bazuar në Udhëzimin Administrativ 10/15 të Ministrisë së Arsimit, pasi që ka punuar për më shumë se një vit në institucionet arsimore sipas konkurseve të DKA-së.
Ajo po ashtu kërkon që të anulohen tre konkurse për mësimdhënës pasi që, sipas saj, janë zgjedhur kandidatët pa plotësuar kriteret e konkursit.
Gjithashtu, Bukurie Krasniqi kërkon t’i kompensohen rrogat e dy muajve që nuk i ka marrë dhe të obligohet e paditura që të paguajë shpenzimet e procedurës gjyqësore.