24-11-2024

Komuna e Prizrenit s’i ka marrë banesat sipas marrëveshjes me ndërtuesit

Autoritetet komunale të Prizrenit kanë bërë të ditur se po përballen me probleme në zbatimin e disa marrëveshjeve me operatorët ekonomikë të ndërtimtarisë, në bazë të të cilave Komuna duhet ta ketë pronësinë mbi disa banesa, që parashihen të shfrytëzohen në kuadër të programit të veçantë të banimit.

Sipas tyre, ndonëse janë përcaktuar përfituesit e këtyre banesave, këta të fundit nuk po mund t’i shfrytëzojnë ato ende, ngase operatorët nuk i kanë përmbushur obligimet e marrëveshjeve me Komunën, shkruan sot Koha Ditore.

Prandaj kanë theksuar se janë në kërkim të gjetjes së mënyrës për adresimin e këtij problemi, qoftë edhe përmes organeve të drejtësisë.

Drejtori për Punë dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Prizrenit, Fejzë Kabashi, ka theksuar se organet komunale i kanë të gjitha të dhënat për banesat dhe përfituesit e tyre nga programi i veçantë i banimit.

Problemet rreth kësaj çështjeje i konfirmon edhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, i cili ka theksuar se në qeverisjet e kaluara janë nënshkruar marrëveshje me operatorët ekonomik dhe se këta të fundit nuk i kanë përmbush zotimet që janë në marrëveshje. Sipas tij në ndërtesa të caktuara shumëbanesore në bazë të marrëveshjeve të nënshkruara del se Komunës i takojnë një numër banesash, porse një gjë e tillë ende nuk është realizuar.

Shqetësimet lidhur me banesat në fjalë muaj më parë janë adresuar edhe në Kuvendin e Komunës. Këshilltarja e LDK-së, Sadije Osaj-Jakupi, pati pyetur DPMS-së se “çfarë është duke ndodhur me një numër të banesave brenda në qytet nëpër lagje të ndryshme, ku familjet i kanë edhe kontratat si përfitues të tyre, mirëpo nuk po mund t’i shfrytëzojnë”.

Asnjë koment

Comments are closed.