Komuna e Prizrenit zhvendos shërbimet në katër lokacione
Komuna e Prizrenit ka njoftuar pwr zhvendosjen në katër lokacione të ndryshme të shërbimeve që aktualisht gjenden në katin e parë të objektit të administratës komunale, për shkak të fillimit të punimeve në kuadër të projektit “One Stop Shop” (Qendra me një ndalesë).
Drejtori i Drejtorisë së Administratës, Osman Hajdari, në një konferencë shtypi, ka thënë se zhvendosja e shërbimeve po bëhet detyrimisht për shkak të nevojës për ta liruar hapësirën ku do të zhvillohen punimet e projektit “One Stop Shop”, ndërsa gjatë kësaj periudhe tranzitore Komuna do të jetë e përkushtuar që të ofrojë shërbime me efikasitet të njëjtë.
Kështu, shërbimet që do të zhvendosen në lokacione të ndryshme janë këto:
1. Në sallën e sporteve të shkollës SHML “Remzi Ademaj” do të zhvendosen:
● Zyra e gjendjes civile (ofiqaria)
● Zyra pritëse
- Në objektin e Drejtorisë për Ekonomi dhe Financa (përballë postës) do të zhvendosen:
● Sektori i mbeturinave
● Taksat rrugore
● Taksat komunale
● Tatimi në pronë - Në Qendrën për Punë Sociale do të zhvendosen:
● Drejtoria e Punës dhe Mirëqenies Sociale
● Zyra për Komunitete dhe Kthim - Në objektin ku gjendet punëtoria e filigranit (ish-Turist Kosova) do të zhvendoset:
● Drejtoria e Inspektorateve
Zhvendosja e këtyre shërbimeve do të fillojë me ato tek objekti i Drejtorisë për Ekonomi dhe Financa nga dita e hënë, më 29 korrik.
Përveç kësaj, është paraparë që pranë shkollës “Remzi Ademaj” të vendoset edhe një e-kiosk, i cili është rifunksionalizuar, derisa në dispozicion do të mbetet edhe e-kiosku që gjendet pranë objektit të administratës komunale.
Projekti i “One Stop Shop” do të mundësojë reformimin e tërësishëm të Komunës së Prizrenit në aspektin e shërbimeve administrative, duke ofruar shërbime efikase dhe të shpejta për qytetarët e komunës dhe duke e bërë Prizrenin komunë e parë në Kosovë që ofron shërbime të tilla./GazetaePrizrenit.net