Komuna e Rahovecit vendos pllakate në shtëpitë bazë të UÇK-së
Komuna e Rahovecit, në 21-vjetorin e çlirimit, ka bërë vendosjen e pllakave në shtëpitë bazë të UÇK-së. Një e tillë është vendosur edhe në kortesë të kësaj komune, te shtëpia e familjes Fetoshi, apo siç njihen si nipërit e veprimtarit të çështjes kombëtare Ukshin Hotit.
Pllaka që shënon se ajo shtëpi ka qenë bazë ilegale e organizimit çlirimtar dhe bazë e UÇK-së, për kryetarin e Rahovecit Smajl Latifi, tregon kontributin e familjes Fetoshi ndër vite.
Ndërsa, për rëndësinë që ka pasur shtëpia e familjes Fetoshi, foli edhe Durmish Gashi, nga OVL e UÇK-së në Rahovec.
“Nga kjo shtëpi e nipave të Ukshin Hotit në vitin ’91 ka dalë i madhi Ukshin Hoti e i cili e ka mbajtur fjalimin e famshëm në varrimin e Ilmi Sejdi Popajt, ku me atë rast për herë të parë ka kërkuar edhe formimin e ushtrisë së Kosovës, e cila kulmoi më pas me daljen e familjes së famshme Jashari, me sakrificën e tyre familjare për të vazhduar pastaj me daljen publike të UÇK-së në Drenoc të Rahovecit, si dhe në të gjitha trojet tona shqiptare”, tha ai.
Të nderuar që në 21-vjetorin e çlirimit të Rahovecit shënohet me pllakë shtëpia e tyre si bazë e UÇK-së shprehet Arben Fetoshi.
Ai tha se një shënim i tillë memorizon të kaluarën e lavdishme.
“Jemi shumë të nderuar sot në vlerësimin që Komuna e Rahovecit dhe organizata e veteranëve të luftës së UÇK-së na e bënë me shënimin nëpërmjet kësaj pllake të një historie, e cila memorizon të kaluarën tonë të lavdishme, sepse historia na mëson që vetëm duke e kujtuar të kaluarën ne mund të ecim sigurt drejt së ardhmes… Në këtë shtëpi gjatë luftës ka ndodhur një moment i rëndësishëm që ka të bëjë me themelimin e shtabit lokal të UÇK-së në zonën tonë këtu”, tha ai.
21-vjetorin e çlirimit, Komuna e Rahovecit e ka shënuar duke bërë homazhe te të gjitha varrezat e dëshmorëve, si dhe ka mbajtur një seancë solemne të Kuvendit Komunal./kp