23-11-2024

Komuna fajëson kompaninë për mosintervenim në rrugët “Edit Durham” dhe “Enver Hadri” të Prizrenit

Banorët e rrugës “Edit Durham”,  që ndërlidhet me atë “Enver Hadri”, por edhe të tjerëve që u bie puna këndej,  sipas të gjitha gjasave këtë dimër do ta kalojnë duke ecur mbi asfaltin e gërvishtur.

Kjo për shkak se operatori ekonomik, që ka fituar tenderin për këtë projekt,  ka vështirësi në furnizimin me lëndën e bitumit, të nevojshëm për prodhimin e asfaltit që duhet shtruar,  shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Zyrtari për media në Komunën e Prizrenit, Lis Dorambari ka thënë se ky është shkaku për ngecjen e punimeve në këto rrugë. “Drejtoria e Shërbimeve Publike i ka marrë të gjitha masat ligjore dhe shumë shpejt nëse nuk intervenohet, ndaj operatorit në fjalë do të fillojnë procedurat për shkëputje të kontratës”, ka thënë ai për portalin “GazetaePrizrenit.net”.

Ka dy muaj kur nga këto rrugë është gërvishtur sipërfaqja e asfaltit dhe nuk është vënë shtresa e re.

Për shkak se shtrimi i asfaltit kërkon kushte të përshtatshme atmosferike, përkatësisht mot më të ngrohtë,  vështirë se këtë dimër mund të intervenohet.

“GazetaePrizrenit.net” ka shkruar në vazhdimësi  për gjendjen në  këto rrugë, në të cilën për mungesë riparimi, përpos qarkullimit të ngadalësuar dhe me kujdes, banorët dhe vozitësit janë ankuar  edhe për dëmtimin e automjeteve, të cilat lëvizin nëpër to.

Lexo edhe:

Prizren: Komuna gërvisht asfaltin dhe harron rrugët “Edit Durham” dhe “Enver Hadri”

Asnjë koment

Comments are closed.