Komunat sot padisin MASHTI-n dhe MSH-në
Asociacioni i Komunave thotë se se Ministritë e lartcekura, si palë nënshkruese me SBASHK-un, për Kontratat Kolektive për beneficionet që i përfitojnë punëtorët e arsimit dhe të shëndetësisë, ka bërë ndërhyrje në kompetencat e komunave, duke ngarkuar me barrë financiare buxhetet e tyre edhe pse komunat nuk janë palë nënshkruese.
Sipas tyre, komunat nuk kanë mundësi të planifikimi të buxhetit për zbatimin e Kontratave Kolektive.
“Andaj për shkak të këtyre dy Kontratave, Komunave i’u janë marrë mbi 35 milion euro nga buxhetet e tyre e për pasojë kemi mos realizim të projekteve kapitale, vlerësime jo të mira nga auditori dhe shumë probleme tjera, për të cilat komunat nuk po përkrahen nga niveli qendrore për të gjetur një zgjidhje adekuate. Si pasojë e kësaj mospërkrahje Komunat si person juridik kanë vlerësuar të shtrojnë PADI ndaj MASHTI-it dhe MSH-së.
Padia do të drejtohet për kompensimin e dëmit material si dhe lejimin e mundësisë së planifikimit buxhetor për zbatimin e plotë të Kontratave Kolektive.
Komunat konsiderojnë se është fakt i pa kontestueshëm përgjegjësia e dy Ministrive për të kryer kompensimin e dëmit ndaj komunave duke pasur parasysh Kushtetutën, ligjet që rregullojnë pushtetin lokal dhe ligjet që rregullojnë procedurat financiare”, thuhet në njoftimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës./Indeksonline/