Komunitetet fetare në Prizren kërkojnë trajtimin e guidave për monumentet kulturore dhe fetare
Përfaqësuesit e komuniteteve fetare në Prizren kanë adresuar shqetësimet e tyre në raport me Komunën, në kuadër të një takimi të organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë.
“Përfaqësuesit e komuniteteve fetare ndan me kryetarin e Komunës shqetësimet e ndryshme, duke përfshirë mungesën e guidave të trajnuar për monumentet fetare, moskompensimin e pronave të shpronësuara, caktimin e tatimit joadekuat për pronat e bashkësive fetare dhe përfshirjen e pamjaftueshme të komuniteteve fetare në Këshillin Komunal për Sigurisë në Bashkësi (KKSB)”, shkruan në njoftimin e misionit të OSBE-së në Kosovë, të publikuar në rrjetet sociale.
Aty theksohet se kryetari i Komunës është pajtuar që të propozojë përfshirjen e disa përfaqësuesve të komuniteteve fetare në KKSB, që të trajtojë çështjen e guidave për monumentet kulturore dhe fetare dhe që të shqyrtojë emërimin e një zyrtari kontaktues për komunitetet fetare. Në njoftim thuhet se kryetari Haskuka ka kërkuar mbështetjen e mëtutjeshme të OSBE-së në lehtësimin e dialogut ndërfetar.