Komuniteti hebraik premton mbështetje për Kosovën
Nënkryetari i parë i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka pritur sot në takim nënkryetarin ekzekutiv të Kongresit Botëror të Hebrenjve, Robert Singer, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
Me këtë rast, Haliti, e njoftoi atë për angazhimet në Kuvendin e Kosovës, e që kanë të bëjnë me avancimin dhe konsolidimin e shtetësisë së Kosovës.
Duke folur për rrugën e gjatë e të mundimshme të popullit të Kosovës gjer në realizimin e lirisë dhe të shtetësisë, nënkryetari i Kuvendit, Haliti, ndër të tjera tha se, “jemi një popull që kemi mësuar shumë nga historia e popullit tuaj dhe ndjehemi krenar që na lidh një histori e ngjashme, e dhimbshme, por edhe krenare”.
Në vijim të takimit, Haliti vuri në spikamë nevojën për mbështetjen e Kosovës nga komuniteti hebraik. “Ju jemi shumë mirënjohës që mbështetja për Kosovën të vazhdojë edhe në të ardhmen, ku do që është e mundshme”, tha ai.
Singer me këtë rast ka thënë se ndihma dhe mbështetja për Kosovën do të jetë pjesë e angazhimeve të përditshme./koha.net