Konfirmohen shkeljet e Ministrisë së Bujqësisë me milionat e granteve
Dërgimi jashtëligjshëm i tre milionë eurove të shtetit tek biznese që për aksionarë kanë njerëz të lidhur me të mëdhenjtë e politikës nga radhët e shqiptarëve dhe serbëve nuk është keqpërdorimi i vetëm që Ministria e Bujqësisë e ka bërë me buxhetin e granteve.
Një proces auditimi ka gjetur shkelje sistematike të bëra prej vitesh gjatë ndarjes së granteve, vlera vjetore e të cilave mesatarisht është 48 milionë euro, shkruan sot Koha Ditore.
Zyra e Auditorit të Përgjithshëm ka publikuar të mërkurën një raport të auditimit të perfomancës mbi menaxhimin e procesit të granteve dhe subvencioneve në sektorin e bujqësisë.
Raporti ka gjetur “mangësi të theksuara” dhe ka nxjerrë në pah se ka projekte të investuara që nuk janë aktive, e që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në moszhvillimin e bujqësisë dhe rritjen e papunësisë. Po kështu, ka evidentuar edhe shkelje të kritereve në rastin e përzgjedhjes së përfituesve të granteve. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)