Konfirmohet aktakuza kundër Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt
Më 11 dhjetor 2020, gjykatësi i Procedurës Paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës konfirmoi aktakuzën e parashtruar më 30 tetor 2020 nga Prokurori i Specializuar, kundër Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt.
Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për media të Dhomave të Specializuara të Kosovës, ku thuhet se Gucati e Haradinaj akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale. Z. Gucati dhe z. Haradinaj bënë akuza dhe komente nënçmuese kundër dëshmitarëve (të mundshëm) dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara. Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së.”, thuhet në njoftim.
“Në bazë të Ligjit, Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë juridiksion që të gjykojnë individë për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë kur këto vepra penale kanë të bëjnë me procedurat zyrtare dhe zyrtarë të Dhomave të Specializuara.”, thuhet tutje në njoftim.
Ndryshe, Hysni Gucati u arrestua më 25 shtator në Kosovë, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në bazë të një fletarrestimi dhe urdhri për transferim, të lëshuara nga një gjykatës i Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Për të dyshuarin është lëshuar fletarrestim për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, të parapara në Kodin Penal të Kosovës, sikurse përfshihen në nenin 15(2) të Ligjit nr. 05/L-53 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Me 1 tetor ai kishte paraqitjen e parë në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) , raporton “Betimi për Drejtësi”.
Me 25 shtator u arrestua edhe Nasim Haradinaj, për të cilin më 26 shtator ishte bërë e ditur se është transferuar në objektin e paraburgimit në Hagë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas komunikatës të lëshuar nga Dhomat e Specializuara, thuhej se është lëshuar fletarrestim për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, të parapara në Kodin Penal të Kosovës, sikurse përfshihen në nenin 15(2) të Ligjit nr. 05/L-53 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar,
Kurse, sipas fletë arrestit për Haradinaj të bërë publik më 26 shtator, thuhej se ekziston dyshimi se në konferencat për shtyp më 7, 16 dhe 22 shtator, Haradinaj ka shpërndarë apo ka vënë në dispozicion për media informacione e dokumente jopublike konfidenciale, në lidhje me punën e prokurorisë, si dhe thuhet se ka përmendur me emër dëshmitarë potencial, se ka dhënë informacion për vendbanimin e tyre dhe të dhëna tjera personale.
Tutje, thuhej se në konferencat e lartpërmendura, dyshohet se ai ka shpërndarë apo ka vënë në dispozicion për media informacione e dokumente jopublike e konfidenciale, jo publike që kanë të bëjnë me punën e prokurorisë, duke përfshirë emrat dhe detaje personale të dëshmitarëve potencial, duke i ekspozuar kështu këta persona ndaj kërcënimeve të mundshme për sigurinë e tyre. /BetimipërDrejtësi