Konfirmohet aktakuza për korrupsion ndaj ish-shefit të Shërbimeve Publike në Malishevë
Gjykata Themelore në Gjakovë e ka konfirmuar aktakuzën ndaj ish-shefit të Shërbimeve Publike në Komunën e Malishevës, Ismet Mazreku, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Kështu, gjykata e shkallës së parë, e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e mbrojtësit të të akuzuarit Mazreku, avokatit Emrush Kastrati për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.
Në arsyetimin e aktvendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi” thuhet se kërkesa e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave është e pabazuar, për faktin se fillimisht Gjykata ka konstatuar se aktakuza nuk është e mbështetur në prova të papranueshme dhe asnjëra nga provat nuk është marrë në kundërshtim me dispozitat ligjore të parapara me Kodin e Procedurës Penale.
“Gjykata ka vlerësuar dhe analizuar pretendimet e mbrojtjes se provat e bashkëngjitura aktakuzës nuk e vërtetojnë se i akuzuari ka kryer veprën penale, si dhe pretendimet se prokuroria ia ka besuar dëshmisë se dëshmitarëve Pllum Kuqi dhe Agnez Furra, si punëtorë të KEK-ut, e jo të akuzuarit si punëtor të administratës që i ka respektuar çdoherë ligjet, sipas vlerësimit të Gjykatës pretendimet e tilla të mbrojtjes janë të pabazuara, për faktin se aktakuza nuk është e bazuar vetëm në dëshminë e këtyre dy dëshmitarëve, por ka edhe dëshmitarë tjerë të cilët janë dëgjuar dhe janë propozuar të dëgjohen gjatë shqyrtimit gjyqësor, si dhe provat e tjera materiale të cilat do të administrohen gjatë shqyrtimit gjyqësor, e ku do të vërtetohet se cilat prova janë të besueshme, e mbi bazën e të cilave do të argumentohet fajësia apo pafajësia e të akuzuarit”, thuhet në aktvendim.
Ndryshe, i akuzuari Mazreku dhe mbrojtësi i tij, avokati Emrush Kastrati në seancën e shqyrtimit të dytë të mbajtur më 24 maj të këtij viti, kanë kërkuar nga Gjykata që aktakuza ndaj të akuzuarit të hudhet poshtë si e pabazuar.
Ndërsa, Prokuroria kishte kërkuar që kërkesa e mbrojtjes së të akuzuarit, të refuzohet si e pabazuar.
Sipas aktakuzës së ngritur më 13 mars 2019, nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, Ismet Mazreku, akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, shef i Shërbimeve Publike në Komunën e Malishevës, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të kundërligjshme të dobisë pasurore për vete apo tjetrin.
Në aktakuzë thuhet se në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik, me rastin e inicimit të “kërkesës për furnizim me kabllo elektrike” për nevojat e fshatit Gajrak të Komunës së Malishevës, dhe menaxhimit të kontratës së prokurimit, në vlerë prej 8.728.90 euro, nga kompania N.T.SH “Leoni” me seli në Malishevë, të cilën edhe pse e ka pranuar, duke konfirmuar në bazë të raportit të 27 tetorit 2015, nuk vërtetohet se e njëjta është investuar në fshatin Gajrak te Komunës së Malishevës.
Më këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare” nga neni 422 par.2 pika 2.1 lidhur me par.1 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi