Konfirmohet nga PSRK: Serbi i arrestuar në Budapest dyshohet për masakrën kundër civilëve në lagjen “Kristal” të Pejës
Pas arrestimit të një serbi në Hungari i dyshuar për vrasjen e 33 civilëve gjatë luftës në Kosovë, ka reaguar edhe Prokuroria Speciale e Kosovës e cila ka njoftuar se ai është ndaluar me urdhër të PRSK-së.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njofton se në Budapest të Hungarisë, sipas urdhër arrestit ndërkombëtar të kërkuar nga kjo prokurori, është ndaluar personi me inicialet S.S, i nacionalitetit serb.
Më tej Prokuroria njofton se ndaj S.S, është nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimit për shkak që i njëjti dyshohet se në periudhën kohore 26 mars deri më 28 maj 1999 ka marrë pjesë aktivisht në kryerjen e veprave penale që ndërlidhen me krimet e luftës, ashtu që i njëjti ka marrë pjesë në sulmet kundër popullatës civile shqiptare në lagjen “Kristal” në Pejë, me ç’rast janë vrarë 33 persona gjatë sulmeve të kryera në këtë periudhë kohore.
Nga ana tjetër sipas mediave hungareze i njëjti është arrestuar në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.
Urdhërarresti është lëshuar shtatorin e kaluar për shkak të krimeve të luftës të kryera kundër popullatës civile.
Bëhet e ditur se autoritetet hungareze do ta shqyrtojnë mundësinë e ekstradimit të të dyshuarit dhe se Prokuroria nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë do të kalojë në kontakt me autoritetet gjyqësore të Kosovës./GS