Konfiskohet një sasi parash të falsifikuara
Paratë e falsikuara janë shtuar së fundmi në Kosovë, ndërsa Policia e Kosovës raportoi se ka sekuestruar 1100 euro vetëm gjatë 24 orëve të fundit në tri qytete të ndryshme.
Ajo që bie në sy është se të gjitha kartëmonedhat e sekuestruara janë prerje 100 euroshe. Me to është blerë në markete si dhe në disa raste janë deponuar edhe në banka.
Më së shumti raste janë lajmëruar në Prishtinë, gjithsej 4 raste, në njërin prej të cilëve, një menaxher i marketi në rrugën “Rober Doll” ka njoftuar se katër persona të dyshuar kanë blerë gjësende me 500 euro, të gjitha prerje 100-she. Me kartëmonedhë 100 euroshe është blerë edhe në një market tjetër në rrugën “Fadil Vata”.
Ndërsa në dy raste të ndryshme, policia është ftuar edhe në dy institucione bankare për shkak të parave të flasikuara, gjithsej 200 euro, me kartëmonedha nga 100 euro në secilin rast.
Një rast tjetër i falsikimit të parasë është njoftuar edhe në fshatin Lluzhan të Podujevës ku ankuesi, ka raportuar se në marketin ku ai është menaxher, ka hasur në një kartëmonedhë prej 100 euro e falsifikuar.
Prerje prej 100 eurove false janë raportuar edhe në Gjakovë. Në dy raste të ndryshme, zyrtarët e bankës kanë raportuar se gjatë numërimit të parave kanë hasur në kartëmonedha të falsifikuara.
Policia e Kosovës ka njoftuar se për të gjitha rastet ka sekuestruar kartëmonedhat e falsifikuara për ekzaminim dhe procedura të mëtutjeshme hetimore. /IO