07-07-2025

Konflikti mes dy shtetasve turq në Prizren përfundon me tentim-vrasje – i dyshuari arrestohet në kufi

Një rast i rëndë i tentim-vrasjes është raportuar të dielën në qytetin e Prizrenit, ku një konflikt i çastit mes dy shtetasve turq ka përfunduar me lëndime të rënda trupore ndaj njërës palë, si pasojë e përdorimit të mjetit të mprehtë.

Burime të sigurta të Gazetës Sinjali mësojnë se ngjarja ka ndodhur më 6 korrik 2025, rreth orës 14:00, në rrugën “Mazllum Kastrati” në Prizren, ku pas një mosmarrëveshjeje verbale, ka shpërthyer një përleshje fizike mes dy personave: Viktima: E.S, 31 vjeçar dhe i dyshuari: Osman (Kenan) Ekmekci, 24 vjeçar.

Sipas informacioneve zyrtare, përleshja ka eskaluar kur i dyshuari ka nxjerrë thikë dhe e ka goditur viktimën, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. Menjëherë pas sulmit, Ekmekci është larguar nga vendi i ngjarjes me automjet në drejtim të panjohur.

Policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme operative, ndërsa viktima është dërguar në emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit. Sinjali mëson se plagët janë të natyrës së rëndë dhe trajtim i tij vazhdon.

Në bashkëpunim me të gjitha pikat kufitare, është bërë shpallja në kërkim e të dyshuarit, i cili rreth orës 20:20 është ndaluar në Pikën Kufitare “Kullë” dhe është shoqëruar në Stacionin Policor Prizren – Veri.

Fillimisht rasti ishte cilësuar si “Lëndim i rëndë trupor”, por për shkak të natyrës së plagëve dhe rrethanave të veprës, prokurori ka rikualifikuar rastin në veprën penale “Vrasje në tentativë”, duke e kaluar çështjen në kompetencë të Departamentit për Krime të Rënda.

Me aktvendim të prokurorit, ndaj Osman Ekmekci është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa hetimet kanë kaluar nën kompetencën e Hetimeve Rajonale.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Asnjë koment

Comments are closed.