Konflikti ruso-ukrainas mund të shkaktojë shtrenjtim të bukës e vajit në Kosovë
Kosova mund të përballet me krizë të dyfishtë ekonomike. Krahas energjisë, barrë mund të jetë edhe rritja e çmimit të disa produkteve të konsumit, nëse kris konflikti mes Rusisë e Ukrainës.
Kjo e fundit është vend transit, por edhe prodhues i disa rendimenteve bujqësore, andaj mund të ndikojë në shtrenjtimin e bukës, vajit e sheqerit.
Ekonomisti Safet Gërxhaliu tregon se, nëpërmjet Ukrainës, importohen në Evropë drithërat, panxharsheqeri e luledielli.
Alarmin për këtë po e ndez edhe opozita. Kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, tha se çmimi i bukës mund të shkojë deri në një euro, nëse nuk ndërmerr masa qeveria.
Ndryshe mendon Muhamet Farizi nga Shoqata e Mullistëve, që thotë se konflikti ruso-ukrainas nuk ndikon në drithëra.
Por Gërxhaliu thotë se kjo situatë duhet të merret seriozisht nga qeveria e cila duhet t’i shtojë rezervat shtetërore.
Ministria e Tregtisë nuk u përgjigj të premten nëse shteti ka mjaftë rezerva për të mos e lejuar këtë krizë. Veçse ditë më parë, ministrja Rozeta Hajdari pranoi se gjatë pandemisë nuk e tha të vërtetën për stoqet, pasi në të vërtetë, shteti ka pasur rezerva vetëm për tri ditë.
Sipas saj, qeveria Kurti 2 ka planifikuar 10 milionë euro rezerva shtetërore./IO