22-11-2024

Konkursi për drejtorë shkollash në Prizren, PDK mbledh nënshkrimet për seancë të jashtëzakonshme

Kuvendi i Komunës (KK) i Prizrenit duhet të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme, për të debatuar rreth gjendjes së fundit në arsim, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.

Dega e PDK-së, pasi ka mbledhur nënshkrimet e nevojshme të asamblistëve për mbledhje të jashtëzakonshme, ka dorëzuar edhe kërkesën, në të cilën parashihet një pikë e rendit të ditës: “Debat për gjendjen jo të mirë në arsim, konkursin për drejtorë të shkollave”.

PDK që është pjesë e opozitës  në Prizren, përmes një komunikate, por edhe gjatë mbledhjes së fundit të KK-së ka kritikuar  pushtetin për rezultatet e fundit të konkursit të përsëritur për drejtorë shkollash.

Pos kuvendarëve të PDK-së, kërkesën e saj për mbledhje të jashtëzakonshme e kanë nënshkruar edhe asamblistë të partisë tjetër opozitare, AAK-së.

Kjo është hera e dytë brenda dy muajsh, kur KK i Prizrenit në këtë përbërje detyrohet të mbajë mbledhje të jashtëzakonshme. Herën e parë, po ashtu me kërkesë të opozitës (AAK) u mblodh për të debatuar për mosmbajtjen e festivalit të “Zambakut të Prizrenit”./GazetaePrizrenit.net/

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.