Kontributi i prindërve i rëndësishëm për cilësinë në arsim
Rritja e bashkëpunimit të shkollave me prindërit mundëson zgjidhjen e numrit të madh të problemeve në këto institucione, sikurse edhe avancimin e cilësisë në arsim.
Ky konstatim ka dalë nga tryeza e organizuar gjatë kësaj jave në Prizren, ku është diskutuar mbi funksionimin e këshillave të prindërve dhe bashkëpunimin e tyre me institucionet shtetërore.
Zyrtarë të lartë të komunave të rajonit të Prizrenit, mësimdhënës, prindër dhe drejtues të institucioneve shkollore nga Prizreni, Dragashi dhe Suhareka kanë vlerësuar se Këshillat e Prindërve duhet të fuqizohen përkatësisht të forcohet bashkëpunimi në mes tyre, shkollave dhe DKA-ve për çështjet e arsimit.
“Nëse i afrojmë prindërit në shkolla një pjesë e madhe e problemeve zgjidhen”, ka thënë kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Ymret Reshiti.
Afrimi i prindërve sipas tij mund të bëhet përmes mekanizmit të Këshillit të Prindërve.
“Nëse dëshirojmë përfshirjen më të madhe të prindërve në procesin mësimor, në interesimin e tyre për tu kujdesur për fëmijët e tyre nëpër shkolla atëherë këtë mundësi e jep Këshilli i Prindërve. Prandaj duhet të jemi bashkë në themelimin dhe funksionalizimin e Këshillave të Prindërve”, ka theksuar Reshiti.
Ai ka thënë se roli i KP-ve ende nuk është kuptuar drejtë dhe se ato më tepër kuptohen si zë opozitar. “Kjo qasje nuk është e drejtë. Këshillat e Prindërve duhet të kuptohen si partner të dobishëm, të barabartë dhe të rëndësishëm nga shkollat, DKA-të dhe MASHT-i”, ka deklaruar ai./koha.net