Korisha në karantinë, 70-vjeçarja e infektuar me koronavirus në gjendje të rëndë shëndetësore
Një 70-vjeçare nga fshati Korishë e Prizrenit, e cila një ditë më parë rezultoi me Covid-19 është në gjendje të rëndë shëndetësore.
Për shkak të problemeve pulmonare, infektologët në Klinikën Infektive kanë thënë se gjendja shëndetësorë e saj është e rënduar, raporton KOHA.
Por, mosidentifikimi i burimit të kontaktit të pacientit të fundit me Covid-19 në Komunën e Prizrenit ka vënë në alarm autoritetet këtu.
Fshati prej nga vjen pacientja e infektuar që nga mbrëmë është futur në karantinë.
70-vjeçarja e infektuar para se të testohej për Covid-19 ishte e shtrirë në Spitalin e Prizrenit dhe ishte trajtuar nga stafi shëndetësor në fshatin Korishë.
Të premten pjesëtarë të Policisë Kosovës kanë bllokuar të gjitha hyrje-daljet e fshatit prej nga vjen e infektuara.
Shumë prej tyre thonë të jenë të shqetësuar me ndalimin që u është bërë atyre të lëvizin jashtë fshatit.
Deri më tani në Komunën e Prizrenit 3 persona kanë rezultuar pozitivë me Covid-19.