‘Korona-somnia’, fenomeni i pagjumësisë që e shkakton jeta me COVID-19
Viti i ri përherë vjen me vendime. Një nga qëllimet më të famshme, jo për t’u çuditur, është që të flemë më shumë. Por ekziston një problem: kriza e vazhdueshme me koronavirusin e ka vështirësuar shumë bërjen e një gjumi të rehatshëm. Disa ekspertë tashmë edhe e kanë një term për këtë dukuri: “korona-somnia” apo “Covid-somnia”.
Ky fenomen i ka goditur njerëzit në tërë botën. Janë shfaqur përherë e më shumë raste të pagjumësisë të ndërlidhura me stresin e jetës gjatë pandemisë.
Në Mbretërinë e Bashkuar, një studim i gushtit të 2020-s nga Universiteti i Southamptonit ka treguar se numri i personave që kanë shfaqur probleme me gjumin është rritur nga një në çdo gjashtë persona deri në një në katër. Probleme më të shpeshta me gjumin kanë raportuar nënat, punëtorët e shërbimeve esenciale dhe grupet minoritare, aziatikët dhe personat me ngjyrë.
Në Kinë, shkalla e pagjumësisë është rritur nga 14.6 në 20 për qind gjatë kulmit të izolimit. “Përhapja alarmante” e pagjumësisë klinike është vërejtur edhe në Itali dhe Greqi, ku përafërsisht 40 për qind e respondentëve të një studimi të fillimmajit kanë raportuar për probleme me gjumin. “Pagjumësi” është fjala që është kërkuar më së shumti në “Google” gjatë vitit 2020.
Dukuria mund për më tepër të ndikojë për keq në shëndetin dhe produktivitetin.
Jeta e çrregullt
Pagjumësia, qoftë në kohë pandemie apo jo, është dukuri me të cilën vështirë jetohet. Vështirësitë e vazhdueshme për të marrë gjumë të rehatshëm apo gjumi jocilësor mund të sjellin probleme afatgjata, si obezitetin, ankthin, depresionin, sëmundjet kardiovaskulare dhe diabetin. Gjumi i mangët – që cilësohet gjumi që zgjat më pak se shtatë orë çdo natë – ndikon edhe në punë.
Shumë faktorë luajnë rol këtu. Së pari, përditshmëria dhe ambienti aktualisht janë çrregulluar, gjë kjo që e vështirëson ritmin aktual cirkadian. Zakonisht, ditët përbëhen nga një numër alarmesh, pushimesh dhe nga gjumi – por COVID-19 e ka trazuar plotësisht këtë renditje.
“Kemi humbur oraret që i kemi në punë, pushimet e caktuara me orar”, ka thënë Steven Altchuler, psikiatër dhe neurolog i mjekësisë së gjumit në Klinikën Mayo.
“Truri i njeriut u përshtatet kushteve: jeni në punë gjithmonë dhe punoni, më pas shkoni në shtëpi dhe çlodheni. Këtu kemi një diferencim. Kurse tani jemi në shtëpi gjatë tërë kohës”, ka thënë Angela Drake, profesoreshë në Universitetin e Kalifornisë, e cila i trajton pacientët që kanë probleme me gjumin dhe ka shkruar rreth korona-somnisë.
Problem tjetër është edhe performanca në punë. Papunësia ka qenë më e larta këto vite në shumë vende të botës, kështu që ata që janë të punësuar po punojnë fort për të mos mbetur pa punë. Problemi i punës nga shtëpia nënkupton se njerëzit punojnë më gjatë dhe kanë orar të çrregullt. Tashmë për shumëkënd, lënia “e punës në punë” është e pamundur dhe kjo sjell më shumë stres brenda ditës.
Tërë kësaj katrahure i shtohet edhe pjesa tjetër, mungesa e miqve dhe aktiviteteve jashtë, që janë burime jetësore për çlodhje dhe heqje të stresit. Të shumtë janë ata që kanë shfaqur edhe probleme mendore, të cilat mund të ndikojnë në gjumë apo anasjelltas. Pasiguria, mungesa e kontrollit janë disa prej faktorëve që po ashtu ndikojnë.
Sipas Drakes, disa probleme me gjumin janë shndërruar në “kronike dhe afatgjata”, për shkak se pandemia ka ndikuar që të anulohen vizitat mjekësore në disa raste; njerëzit kanë kërkuar ndihmë mjekësore vetëm për raste emergjente dhe disa spitale kanë qenë të stërmbushura me pacientë me COVID-19.
Si të luftohet pagjumësia?
Ekspertët kanë thënë se është jashtëzakonisht e rëndësishme që të kërkohet ndihmë kur shfaqen problemet me gjumin – veçmas në kohë të pandemisë.
“Pasi pandemia ka vazhduar për një periudhë goxha të gjatë, jo vetëm për disa muaj, ka shumë mundësi se shifrat e pagjumësisë nuk do të bien”, ka thënë Lisa Artis nga “Sleep Charity” në Mbretërinë e Bashkuar. “Kjo ndodh ngase, nëse njerëzit nuk kërkojnë ndihmë kur fillojnë të kenë probleme me gjumin, ekziston mundësia që këto probleme të kthehen në çrregullim, siç është pagjumësia dhe për fat të keq nuk ndreqen shpejt…Vështirë ndryshohen shprehitë që veçse janë formuar”.
Por ekzistojnë edhe lajme të mira. Pas më se 12 muajsh pandemie, disa ekspertë mendojnë se janë bërë përparime në aspektin e trajtimit të çrregullimeve me gjumin.
Altchuler ka theksuar “zhvillimin e shpejtë të tele-shëndetit – që ngërthen vizitat virtuale dhe ilaçet virtuale”, që janë mundësuar shkaku i pamundësisë për të shkuar në qendrat spitalore.
Trajtimi më i zakonshëm për problemet me gjumin është terapia kognitive e sjelljeve për pagjumësi (e njohur si CBT-I), që e përmirëson “higjienën e gjumit” (p.sh. të mos pihet duhan apo alkool para gjumit) dhe që ofron trajnime ashtu që shtrati të mos ndërlidhet vetëm me gjumin dhe që të ndryshohen shprehitë (të mos punohet në shtrat).
Një studim i kryer nga Universiteti i Michiganit ka treguar se pacientët që zbatuan CBT-I-në i ishin nënshtruar një trajtimi po aq efikas sa ai në klinikë.
Ekzistojnë gjithashtu edhe disa gjëra që njerëzit mund t’i bëjnë për ta zgjidhur këtë problem.
“Një nga rregullat kryesore është se nuk duhet të punoni me laptop në shtrat”, ka thënë Drake. “Nuk më intereson se sa e rehatshme është. Me kalimin e kohës, truri e bashkon punën me shtratin – është diçka që përforcohet”.
Gjithashtu, duhet kufizuar leximi i lajmeve për t’iu shmangur ankthit që mund t’ju mbajë zgjuar natën. Nuk duhet përdorur telefonat si alarm (rrezatimi nuk është i mirë për gjumin), por duhet lënë ora në dollapin afër shtratit që të mos stresoheni përderisa po mundoheni të flini.
Dhe duhet mbajtur mend se rrethanat, në të cilat aktualisht jetohet, janë larg të qenit të zakonshme – nuk është e befasishme se jemi duke u ballafaquar me sfida.
“Hera e fundit që ka ndodhur diçka e tillë ka qenë para 100 vjetësh”, ka thënë Drake. “Këtë gjë nuk e ka pritur kurrkush prej nesh”. /koha/ KultPlus.com