23-11-2024

Koronavirusi: 34 mijë euro gjoba ndaj bizneseve që kryen shkelje pas situatës së krijuar

Rreth 34 mijë euro është vlera e gjobave që ka shqiptuar Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ndaj bizneseve për të cilat është konstatuar se kanë kryer shkelje ligjore pas situatës së krijuar me koronavirus, ka thënë drejtori i këtij institucioni, Ilir Murtezaj.

Autoritetet kanë njoftuar se bizneset që nuk respektojnë masat e vendosura nga Qeveria e Kosovës, ku përfshihet dhe mosngritja e çmimeve të produkteve, do të gjobiten nga 125 deri në 1,000 euro.

Murtezaj ka thënë se në periudhën 12-20 të muajit mars janë raportuar 3705 raste online.

“Nga shifra e përgjithshme, 1621 janë verifikuar nga inspektorët në terren, për 246 raste është konstatuar se ka pasë shkelje ligjore dhe janë dërguar në njësinë për shqiptim të gjobave, njësi kjo që funksionon në kuadër të ATK-se dhe 42 raste janë deleguara të inspketorati i tregut”, shtuar mes tjerash ai për REL.

Sipas Murtezajt, aktualisht në terren janë 60 inspektorë të kësaj Administrate.

Përndryshe, deri më tani në Kosovë është raportuar për 33 persona të infektuar me koronavirusin e ri.

Qeveria e Kosovës ka shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik me qëllim të luftimit të kësaj sëmundjeje.

Asnjë koment

Comments are closed.