Koronavirusi, kufizohen përkohësisht veprimtaritë gjyqësore ku përfshihet publiku
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka marrë vendim të kufizohen përkohësisht veprimtaritë gjyqësore ku përfshihet publiku.
Ky vendim u mor sot në takimin e jashtëzakonshëm, ku është diskutuar për masat e gjyqësorit lidhur me situatën aktuale, pandeminë globale koronavirus (COVID-19).
Në komunikatën e KGJK-së, thuhet se kufizohen përkohësisht veprimtaritë gjyqësore ku përfshihet publiku, në të gjitha gjykatat e Republikës së Kosovës, sipas vlerësimit të kryetarit të gjykatës dhe gjyqtarit të çështjes.
“Ky kufizim do të zgjasë deri më datë 27 mars 2020, përveç nëse vendoset ndryshe.”, thuhet në komunikatën e tyre.
Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur dje, ka marrë vendim që të gjitha aktivitetet publike dhe jopublike të zhvillohen të mbyllura, pa praninë e publikut si: ngjarje sportive, tubime, koncerte, konferenca, tryeza të rrumbullakëta deri në një vendim tjetër.