Në Kosovë, sot janë shëruar edhe katër person nga koronavirusi duke shkuar numri i përgjithshëm i të shëruarve në 789.
Këtë e bëri të ditur Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës me anë të një njoftimi, në të cilin thuhet se në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 138 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, me SARS-CoV-2 nuk është konfirmuar asnjë rast pozitiv.
“Nga data 08 shkurt deri më 24 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 13.262 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 1.032 raste, me gjithsej 29 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese”.
“Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome”, thuhet në njoftim.