Koronavirusi: Sot testohen 22 persona në Prizren
Prizreni është komuna e dytë me më së shumti raste me COVID-19 në vend. Me dy rastet e konfirmuara mbrëmë, numri i rasteve aktive me koronavirusin e ri në këtë komunë është 49. Detaje rreth dy rasteve të reja ka dhënë Drejtori për Shëndetësi, Visar Shehu.
Shehu i ka thënë Gazetës Express se sot do të testohen 22 persona, të cilët kanë pasur kontakt me të infektuarit.
Përveç testimeve, atje do të ri-testohen sot edhe 18 persona të infektuar për të parë nëse janë shëruar.
“Mbrëmë janë konfirmuar dy raste nga Prizreni. Një prej rasteve është që ka qenë në konvikt, derisa rasti tjetër është nga Infektiva. Sot do të bëhen 18 ri-testime. Një prej tyre është do të ri-testohet për herë të dytë dhe nëse del negativ i bie që është shëruar. Ndërsa për herë të parë do të testohen 18 persona, të cilët janë raste kontakti. Do të testohen edhe familjarët e pacientes pozitive nga Infektiva”, ka thënë Shehu për Express.
Ndryshe, dje në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 200 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.
Prej këtyre mostrave të testuara, 14 kanë dalë pozitive.
“Sot më 10 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 200 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren. Me SARS-CoV-2, janë konfirmuar 14 raste”, thuhet në njoftim.
Rastet pozitive janë raste kontakti nga Gjilani, Prizreni, Peja, Vushtrria dhe Prishtina.
Deri tani në gjithë vendin janë konfirmuar 884 raste me koronavirus. Prej këtij numri, 655 persona janë shëruar, derisa 28 kanë vdekur./Gazeta Express