Koronavirusi, vazhdon izolimi në Malishevë
Tash e nëntë ditë Komuna e Malishevës po vazhdon të jetë e izoluar. Pjesëtarët e Policisë janë ata që e kanë për detyrë që të mos lejojnë hyrjet-daljet në këtë komunë.
E një gjë të tillë, këta e bënë edhe gjatë ditës së diel.
Edhe masat mbrojtëse nuk iu mungonin, ku 100 të tilla së fundmi Komuna e Malishevës ka ndarë për ta.
E brenda qytetit shihen lëvizje të rralla të qytetarëve, shumica prej tyre për të blerë gjërat e nevojshme për shtëpi.
E së fundmi edhe parku kryesor i qytetit u izolua.
Ky vend, që ishte adresë e shumëkujt gjatë ditëve të zakonshme tash nuk ka asnjë vizitor.
Ndërkohë, në QKMF të Malishevës, punëtorët shëndetësorë në këtë tendë, po vazhdojnë të kryejnë kontrolle për banorët e kësaj komune.
E një ndër rastet e fundit që u konfirmua me Coivd-19, ishte një 31 vjeçar nga fshati Senik.
Me këtë të fundit numri i të prekurve nga Malisheva ka shkuar në 6.
Ndërkaq të prekurit janë nga 4 fshatra të kësaj komune.
Ndërsa, sipas kryetarit të kësaj komune, Ragip Begaj, familja e 31 vjeçarit, që pas analizave rezultoi pozitiv me koronavirus është izoluar.
E sa i përket furnizimit me masa mbrojtëse, Begaj thotë që si komunë nuk janë të furnizuar mirë, dhe se ka nevojë akoma për furnizime.
Ndryshe, Begaj falënderoi edhe donatorët që gjatë këtyre ditëve e kanë ndihmuar Komunën e Malishevës, qoftë me masa mbrojtëse, por edhe me gjera ushqimore./GazetaExpress