05-11-2025

Kosova e ndalon përkohësisht importin e shpezëve dhe produkteve të tyre nga Hungaria e Italia

Kosova e ka ndaluar përkohësisht importin e shpezëve të gjalla dhe produkteve të tyre nga Hungaria dhe Italia, për shkak të pranisë së gripit të shpezëve në këto dy vende të Bashkimit Evropian.

Kjo u bë e ditur mëngjesin e sotëm nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës.

AUV tha në një njoftim për media se këtë vendim e mori duke u bazuar në raportet e fundit nga Organizata Botërore për Shëndetin e Kafshëve, si dhe Komisioni Evropian.

Raportet e tyre kanë gjetur se në shtetin e Hungarisë është i pranishëm gripi i shpezëve, serotip me patogjenitet të lartë HPAI–H5N1, në fermat komerciale dhe në shpezët e egra në njësitë administrative Jasz, Nagykun dhe Szolnok.

Ndërsa, në Italia, ky grip është i pranishëm në rajonet Emilia-Romagna dhe Lombardia, sipas AUVK-ut.


AUV tha se nga e mërkura ndalohet importi i shpezëve të gjalla dhe i produkteve të tyre që kanë origjinën nga zonat e infektuara të Hungarisë dhe Italisë, përveç nëse ato kanë origjinën nga ferma të paprekura nga sëmundja, të cilat gjenden në një rreze prej 50 kilometrave larg zonave të prekura.

“Kjo ndalesë hyn në fuqi menjëherë dhe do të mbetet në zbatim deri në vlerësimin e mëtejshëm të situatës nga autoritetet përkatëse ndërkombëtare dhe nga AUV”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, kujtojmë edhe se Kosova ndaloi importin e shpezëve dhe produkteve të tyre nga Gjermania javën e kaluar.

Asnjë koment

Comments are closed.