Kosova harxhoi mbi 15% më shumë rrymë në prill 2025 krahasuar me vitin e kaluar
Konsumi i energjisë elektrike në Kosovë gjatë muajit prill 2025 ka shënuar rritje prej 15.69% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Rritja e konsumit është përcjellë edhe me rritje të importit. Kosova ka importuar 377.08 GWh energji elektrike gjatë prillit 2025, që përfaqëson një rritje prej 82.19% në krahasim me prillin e vitit të kaluar.
Ndërkohë, eksporti ka rënë me 24.56%, duke zbritur nga 284.66 GWh në 214.75 GWh.
Nga ana tjetër, prodhimi vendor ka pësuar luhatje. Prodhimi nga termocentralet, burimi kryesor i energjisë në vend, ka rënë ndjeshëm me 39.69%, nga 533.67 GWh në 321.83 GWh.
Prodhimi nga hidrocentralet u rrit me 33.69%, ndërsa nga burimet solare dhe eolike me 13.88%.
Në total, energjia elektrike bruto në dispozicion për vendin ishte 568.03 GWh, një rritje prej 8.60% krahasuar me një vit më parë.

Pjesëmarrja e energjisë nga burime alternative (diellore dhe me erë) në konsum ishte 19.22%, duke konfirmuar trendin e zgjerimit të këtyre burimeve në përzierjen energjetike të vendit.
Në lidhje me thëngjillin, prodhimi gjatë muajit prill 2025 ishte rreth 685.19 mijë ton, një rënie e lehtë prej 0.52% krahasuar me prillin e vitit të kaluar./Indeksonline/