23-11-2024

Kosovarja ia “avullon” austriakut 80-vjeçar 2.2 milionë euro

Kjo histori dhurimesh të parave ka vazhduar plot gjashtë vite ose është përmbyllur nga mesi i vitit 2018 kur pensionistit tashmë i mungonin hiç më pak se 2.2 milionë euro

Duke filluar nga viti 2012, njohja në mes të austriakut 80-vjeçar dhe kosovares 32-vjeçe ishte shndërruar në një lidhje seksuale. Një lidhje që duket t`i ketë kushtuar tepër shtrenjt pensionistit nga Tiroli, shkruan tt.com.

32-vjeçja e kishte nuhatur me kohë se me 80-vjeçarin kishte kapur një pre të majme. Për nënën e dy fëmijëve e cila merr ndihma sociale, ishte një shans i mirëseardhur.

Kështu ajo kishte filluar t`i kërkonte të holla “të dashurit” të saj. Secilën herë ajo do të gjente ndonjë rrëfim të ri për destinacionin e parave që i nevojiteshin, transmeton albinfo.ch. Njëherë ishte fjala për pagesën për një pasaportë, pastaj i duheshin para për rregullimin e dhëmbëve dhe, së fundi, për të trajtuar sëmurjen akute që po kalonte nëna e saj në Kosovë.

80-vjeçari paguante pa e bërë të madhe, por kërkonte që ajo të vinte nënshkrimin në dëshminë e secilës pagesë. Ai pra mbante një evidencë të rregullt mbi pagesat dhe thotë të ketë qenë i sigurt se paratë në fjalë do t`i ktheheshin dikur, përcjell albinfo.ch. Kjo veç tjerash për faktin se 32 vjeçja e kishte siguruar se nëna e saj e kishte trashëguar një shtëpi të madhe në Kosovë dhe se kishte miliona në konto.

Kjo histori dhurimesh të parave ka vazhduar plot gjashtë vjet ose është përmbyllur nga mesi i vitit 2018 kur pensionistit tashmë i mungonin hiç më pak se 2.2 milionë euro.

Kështu ai më në fund kishte bërë kallëzim penal në Gjykatën e Landit. Kosovarja e akuzuar për mashtrim profesional, para gjyqit ka thënë se vuan nga varësia prej lojërave të fatit dhe se të gjitha paratë, thjesht, janë zhdukur.

Prokurori, duke vlerësuar se për sa kohë mund ta fitojë një qytetar normal atë shumë parashë nga puna e ndershme, ka kërkuar dënim sa më të ashpër për të akuzuarën, transmeton albinfo.ch. Në fund, trupi gjykues i shqiptoi kosovares një dënim prej katër vjetësh burg. Dënimi ende nuk është i plotfuqishëm.

Asnjë koment

Comments are closed.