03-09-2025

KQZ: Decertifikohen 9 kandidatë për zgjedhje lokale

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur sot të decertifikojë 9 kandidatë për zgjedhjet lokale 2025.

Kandidatët e decertifikuar vijnë nga këto subjekte politike: Prishtina në dorën tënde (1), Partia Demokratike e Kosovës (1), Lëvizja për Bashkimin e Shqiptarëve (1), Partia Liberale Egjiptiane (2) dhe Alternativa (4).

Vendimi i KQZ-së u mor pas shqyrtimit të rekomandimit të Komisionit për Kundërshtim Administrativ, i cili kishte trajtuar ankesat e aplikuesve të refuzuar për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës për votim me postë.

Numri total i kundërshtimeve të paraqitura brenda afatit ishte 275, prej të cilave: 174 aplikues u refuzuan për mosrespektim të procedurës së kundërshtimit; 77 ankesa u aprovuan pasi aplikuesit kishin dorëzuar dokumentacionin e kërkuar; dhe 24 shtetas u rikthyen në Listën Votuese brenda Kosovës pas anulimit të regjistrimit për votim jashtë vendit.


Po ashtu, KQZ miratoi procedurën standarde për votimin jashtë Kosovës dhe vlerësimin e pakove me fletëvotime.

“Sipas Rregullës Zgjedhore për regjistrimin dhe votimin jashtë Kosovës, KQZ do të sigurohet që shtetasve të Kosovës të regjistruar për votim me postë t’ua dërgojë përmes postës pakon me fletëvotime, andaj kjo procedurë parasheh që zarfi i dërguar nga KQZ të pranohet vetëm nga personi i regjistruar. Zyrtari i postës duhet të kontrollojë përmes dokumentit identifikues personin për të cilin është i dedikuar zarfi/pako me fletëvotime”, njofton KQZ.

Zarfi që do t’i dërgohet votuesit përmban: fletëvotimet; zarfin e fshehtësisë; udhëzuesin me informacion se si plotësohen fletëvotimet dhe si realizohet votimi përmes postës; zarfin kthyes dhe shiritin mbyllës. Votuesit janë të obliguar që pakon ta depozitojnë në kutitë postare të KQZ-së të hapura në shtete të ndryshme, ndërsa adresat e kutive postare do të publikohen nga KQZ para fillimit të periudhës së votimit me postë.

Asnjë koment

Comments are closed.