11-07-2025

KQZ jep detaje se si mund ta ndërroni Qendrën e Votimit nga një komunë në tjetrën

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka dalë me sqarime në lidhje me mundësinë e ndryshimit të Qendrës së Votimit nga një komunë në tjetrën, për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

KQZ ka shpjeguar se ky ndryshim nuk mund të bëhet drejtpërdrejt nga institucioni, por kërkon një proces tjetër të lidhur me deklarimin zyrtar të vendbanimit nga qytetarët/votuesit.

“Këto ndryshime mund të bëhen vetëm brenda komunës përmes KQZ-së, por për të kaluar nga një Qendër Votimi e një komune në një tjetër, votuesi duhet të ndryshojë adresën e tij në Zyrën e Gjendjes Civile apo në platformën E-Kosova. Pasi të konfirmohet ndryshimi i adresës nga Shërbimi i Gjendjes Civile, adresa e re do të reflektohet në Regjistrin Qendror Civil,”, sqaroi KQZ.

Gjithashtu, KQZ bëri të ditur se çdo ndryshim i adresës së banimit deri më 29 gusht 2025 do të pasqyrohet në platformën e KQZ-së dhe në Listën Votuese, duke mundësuar kështu ndryshimin e Qendrës së Votimit për qytetarët që e kanë adresën të regjistruar në një komunë tjetër.


“Po ashtu, deri më 29 gusht 2025, KQZ do të vazhdojë të ofrojë shërbime për votuesit që dëshirojnë të ndryshojnë Qendrën e Votimit brenda komunës,” thuhet në njoftim.

Gjatë periudhës që ka filluar më 28 qershor dhe do të përfundojë më 29 gusht, qytetarët me të drejtë vote mund të verifikojnë qendrën e tyre të votimit dhe, nëse dëshirojnë, ta ndërrojnë atë për ta afruar me vendbanimin e tyre, përmes platformës elektronike të KQZ-së ose duke paraqitur kërkesën në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve të komunës ku janë të regjistruar.

Asnjë koment

Comments are closed.