KQZ: Pas dorëzimit të listave, do t’i verifikojmë kandidatët për deputetë

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për KosovaPress se pas dorëzimit të kandidaturave për deputetë, ky institucion do të ndërmarrë veprimet e radhës për të verifikuar përshtatshmërinë e kandidatëve nëse përmbushin kriteret ligjore.
“Deri më 7 dhjetor 2025, subjektet politike që kanë aplikuar për certifikim të pjesëmarrjes në zgjedhje, duhet të dorëzojnë përmes platformës listën e tyre me emrat e kandidatëve për deputetë të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Në përmbushje të detyrimeve ligjore lidhur me përshtatshmërinë/aftësinë e kandidatëve për t’u certifikuar, KQZ, nëpërmjet Zyrës, do të dorëzojë në disa institucione kërkesat e veçanta së bashku me listën e kandidatëve që duan të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje, me qëllim të verifikimit të tyre nëse janë në përputhje me nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme”, tha Elezi.

“Emërimi i kryetarit të komunës paralele, strategji e Serbisë për destabilizim në Kosovë”Sipas nenit 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, një person nuk mund të certifikohet si kandidat për deputet nëse bie në kategoritë e ndaluara nga ligji, përfshirë mbajtjen e funksioneve të veçanta publike, pozitat diplomatike, anëtarësinë në organet zgjedhore apo mosrespektimin e vendimeve të PZAP-it dhe KQZ-së. Kufizimi më i rëndësishëm është ai që ndalon kandidimin e çdo personi që në tre vitet e fundit ka një dënim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me së paku një vit burgim efektiv.
