KQZ: Refuzohen mbi 3 mijë pako me vota nga diaspora
Prej datës 9 shkurt e deri më tani, më 21 shkurt, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përfunduar vlerësimin dhe verifikimin e 54 mijë e 409 pakove me fletëvotime të ardhura nga diaspora.
Prej tyre janë aprovuar 51,140, ndërkaq janë refuzuar 3,269.
Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Nga data 9 shkurt, kur ka filluar vlerësimi apo verifikimi i pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës dhe deri më 21 shkurt, këtij procesi i janë nënshtruar 54,409 pako, prej të cilave janë aprovuar 51,140 ndërkaq janë refuzuar 3,269”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Arsyeja se përse janë refuzuar këto dërgesa, është se ato janë dërguar nga persona që janë anuluar gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës; u mungon dëftesa e regjistrimit; janë dërguar më shumë se një herë; kanë dërguar më shumë se një fletëvotim; etj”, ka thënë Elezi.
Numri i shtetasve të Kosovës të regjistruar për të votuar jashtë vendit ka qenë 104 mijë e 924 persona.
Prej tyre, 20 mijë e 324 persona ishin regjistruar për votim në përfaqësitë diplomatike, ku kanë votuar gjithsej 15 mijë e 352 qytetarë. Ndërkaq, për votim përmes postës ishin regjistruar 84 mijë e 600 shtetas të Kosovës.